Futboll

Uzuni prezantohet me futbollin e madh, Asllani bën ‘stazhin’ për Kombëtaren

Gazeta Si – Hungaria është një kapitull i mbyllur, Myrto Uzuni tashmë ka kaluar në futbollin e madh dhe prezantim më të mirë për të nuk mund të kishte. Sulmuesi beratas pati fatin të debutojë me fanellën e Granadës në stadiumin e famshëm të Realit, “Santiago Bernabeu”.

Uzuni e nisi titullar ndeshjen ndaj Realit, qëndroi 80 minuta në fushë dhe dha disa sinjale pozitive, por kuptohet që i duhet pak kohë për ambientimin e plotë. Ndeshja u mbyll me fitoren e ngushtë të Realit, 1-0, ndërsa beratasi i pati shanset për t’i shënuar Kurtuasë.

Uzuni dhe Modriç gjatë ndeshjes Real Madrid-Granada, 1-0. Gazeta Si, 7 shkurt 2022

Kalimi në La Liga është një mundësi shumë e mirë për futbollistin e Kombëtares që të tregojë vlerat e tij më të mira. Është gjithashtu një provë shumë e rëndësishme për Uzunin, që ka ambicie për karrierën dhe po i ngjit një e nga një shkallët e saj. Tashmë ai është prezantuar me futbollin e madh, futbollin që vlen, ku çdo gol apo loja e mirë, kanë peshë tjetër në krahasim me Kroacinë dhe Hungarinë.

Fundjava që lamë pas ishte pozitive edhe për disa kuqezinj të tjerë, ku veçohet Kristjan Asllani i Empolit. Trajneri Andreacoli i besoi një fanellë titullari ndaj Bolonjës, ku Empoli barazoi 0-0. Përveç tij, edhe Bajrami ishte titullar, por u zëvendësua, ndërsa Asllani qëndroi në fushë deri në fund dhe u ndëshkua me karton të verdhë.

Mesfushori elbasanas po fiton gjithmonë e më tepër besim dhe aktivizimi si titullar në Serinë A do t’i shërbejë atij edhe si një lloj ‘stazhi’ para se të ingranohet në Kombëtaren e Shqipërisë. “Asllani nuk është më një surprizë, është futur mirë në mekanizmin e ekipit”, – ka thënë trajneri i Empolit, Andreacoli.

Asllani në një dyluftim gjatë ndeshjes ndaj Bolonjës. Gazeta Si, 7 shkurt 2022

Asllani është vetëm 19 vjeç dhe që tani mund të konsiderohet një element shumë i rëndësishëm për kuqezinjtë, duke ditur edhe pozicionin e tij në fushë. Ai luan para mbrojtjes, ku Kombëtarja jonë ka nevojë për lojtarë dhe me siguri në eliminatoret e ardhshme trajneri Reja do ta grumbullojë këtë futbollist premtues.

Titullar në ndeshjet e fundit ishin edhe Tomas Strakosha dhe Berat Gjimshiti. Lacio fitoi 0-3 në fushën e Fioretinës, ku Hysaj u fut në fushë si zëvendësues në pjesën e dytë, kurse Atalanta u mund të fushën e saj 1-2 nga Kaljari. Kumbulla nuk pati asnjë minutë me Romën këtë herë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë