Gazeta Si – Granada e ka të qartë se mund ta humbasë shumë shpejt Myrto Uzunin, sulmuesin e Kombëtares shqiptare që po shkëlqen këtë sezon në Ligën 2. Ai ka shënuar 15 gola dhe bashkë me Kalehon po e udhëheqin skuadrën drejt rikthimit në La Liga.
Golat dhe loja e këtij sezoni kanë bërë që Uzuni të dalë në vitrinë dhe interesimi për të nuk ka munguar nga klubet europiane. Valencia është skuadra e fundit që ka vënë në rreth futbollistin beratas dhe madje ka bërë hapa përpara, duke qenë pranë një parakontrate me të.

Transferimi mund të kryhet në verë, kur situata mund të jetë ndryshe. Valencia do të paguante rreth 12 milionë euro për Uzunin, nëse Granada nuk ngjitet në La Liga, kurse po u ngjit duhet të paguajë dyfishin. Kontrata e sulmuesit me klubin aktual përfundon në 2026-ën.
Mbetet të shihet si do të rrjedhin ngjarjet deri në verë, ndërkohë për Uzunin ka interes edhe nga Turqia dhe nga Premier Liga. Me formën që po kalon, gjasat janë të mëdha që ai të firmosë për një ‘top klub’. Valencia është një i tillë, pavarësisht vështirësive që po kalon aktualisht.
Myrto Uzuni pritet të jetë edhe lojtari kryesor i Shqipërisë në ndeshjet e para kualifikuese të Euro 2024, pasi Broja është i dëmtuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




