Gazeta Si – Myrto Uzuni është sulmuesi i momentit në radhët e kuqezinjve. Beratasi 27-vjeçar shënoi sot tre gola në kampionat për skuadrën e tij. Granada mposhti 3-0 Vilarrealin B në javën e tretë dhe tashmë kryeson me 9 pikë të plota.
Uzuni shënoi që në minutën e parë të ndeshjes, pas një pasimi të saktë që mori në qendër të zonës. Më pas ai shënoi edhe dy herë të tjera nga pika e bardhë e penalltisë, duke qenë protagonist absolut i fitores së sotme.

Sulmuesi i Kombëtares shënoi për Granadën edhe në ndeshjen e javës së dytë, kështu që pas tri ndeshjesh ka shënuar 4 gola në kampionat. Një start mbresëlënës për këtë futbollist, që po e udhëheq skuadrën spanjolle në Segunda.
Në La Liga Uzuni nuk pati shumë fat për të shënuar shumë gola, pavarësisht lojës së mirë që zhvillonte. Tashmë ai ka gjetur shënjestrën dhe po shënon në vazhdimësi. Kjo është tripleta e parë për beratasin në Spanjë.
Ky është një sinjal i mirë edhe për trajnerin Edi Reja, aq më tepër që sulmuesit e tjerë të Kombëtares nuk po kalojnë një moment pozitiv.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




