Futboll

Uzuni kalon momentin e keq, protagonist në fitoret e Granadës

Gazeta Si – Myrto Uzuni duket se e ka kaluar momentin e vështirë në Spanjë. Sulmuesi i Kombëtares ka qenë protagonist në dy ndeshjet e fundit të Granadës me gol dhe asist. Falë dy fitoreve të fundit, skuadra e beratasit i është larguar disi zonës së rënies nga kategoria.

Uzuni ishte titullar në ndeshjen e fundit ndaj Atletik Bilbaos, ku Granada fitoi 1-0. Goli i vetëm u shënuan në minutën e 35-të nga Molina, pas asistit të sulmuesit të Kombëtares shqiptare. Ai kishte mundësi të gjuante drejt portës, por zgjodhi variantin më të sigurt, duke pasur brenda zonës për shokun e skuadrës.

Uzuni feston golin e Molines ndaj Bilbaos. Gazeta Si, 11 maj 2022

Ishte një ndeshje pozitive për Granadën dhe futbollistin kuqezi. Uzuni u zëvendësua nga trajneri Karanka 12 minuta para fundit, pasi kishte konsumuar shumë energji. Shtypi spanjoll e ka vlerësuar sulmuesin shqiptar për shpirtin e garës dhe këmbënguljen që tregon në fushë.

Disa ditë më parë, në fitoren 2-6 në fushën e Mjorkës, Uzuni gjeti golin e parë me fanellën e Granadës. Ai shënoi golin e 5-të të skuadrës së tij në atë ndeshje, që e nisi nga stoli dhe u fut në fushë pas minutës së 60-të. Për momentin, beratasi duket në një formë shumë të mirë.

Pas transferimit në Spanjë, Uzuni ka hasur vështirësi për të shënuar, ashtu siç bënte në Hungari me Ferencvaroshin. Kuptohet që fillimi ka vështirësitë e veta dhe tashmë është e rëndësishme që një nga lojtarët titullarë të Kombëtares ka gjetur veten. Sulmuesi është aktivizuar thuajse rregullisht, herë titullar dhe herë nga stoli.

Këto javë të fundit, nga sulmuesit e Kombëtares më tepër vështirësi ka hasur Broja, i cili, ndryshe nga Uzuni, kishte pasur një ecuri shumë të mirë dhe kishte shënuar vazhdimisht. Po afrojnë ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe trajnerit Reja i duhen lojtarët në formë, sidomos sulmuesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë