Shendet

Ushtrimet ulin rrezikun e vdekjes nga kanceri i zorrës së trashë

Një program ushtrimesh për pacientët me kancer të zorrës së trashë mund të ulë rrezikun e vdekjes me një të tretën, tregon një studim i madh ndërkombëtar.

Studiuesit thanë se nuk ishte “një numër i madh” ushtrimesh dhe çdo lloj stërvitjeje, nga noti deri te klasat e kërcimeve merret në konsideratë.

Rezultatet mund të ndryshojnë mënyrën se si trajtohet kanceri i zorrës së trashë në të gjithë botën.

Shkencëtarët tashmë po hetojnë nëse regjime të ngjashme ushtrimesh mund të përmirësojnë mbijetesën për njerëzit me sëmundje të tjera, siç është kanceri i gjirit.

“Është një ndryshim i vogël i mënyrës së të menduarit, duke e menduar trajtimin si diçka që e bën, jo thjesht si diçka që e merr”, thotë studiuesja Vicky Coyle.

Në provë, programi tre-vjeçar i ushtrimeve filloi menjëherë pas kimioterapisë.

Qëllimi ishte që njerëzit të bënin të paktën dyfishin e sasisë së ushtrimeve të përcaktuara në udhëzimet për popullatën e përgjithshme.

Kjo mund të jetë tre deri në katër seanca ecjeje të shpejtë në javë, që zgjasin 45-60 minuta, thotë Coyle.

Njerëzit morën seanca javore për gjashtë muajt e parë, të cilat më pas u ulën në një herë në muaj.

Prova, që përfshinte 889 pacientë, e përfshiu gjysmën në programin e ushtrimeve. Gjysmës tjetër iu dhanë fletëpalosje që promovonin një stil jetese të shëndetshëm.

Rezultatet, të botuara në New England Journal of Medicine, treguan pas pesë vitesh:

80% e njerëzve që ushtroheshin shpëtuan nga kanceri, krahasuar me 74% në grupin tjetër.

Nuk dihet saktësisht pse ushtrimet kanë këtë efekt të dobishëm, por idetë përfshijnë ndikimin në hormonet e rritjes, nivelet e inflamacionit në trup dhe mënyrën se si funksionon sistemi imunitar.

Joe Henson nga Universiteti i Leicester tha se rezultatet ishin emocionuese.

“E pashë nga afër se ushtrimet ulën lodhjen, përmirësuan humorin e njerëzve dhe rriti forcën e tyre fizike.

“Ne e dimë që aktiviteti fizik rregullon disa procese kryesore biologjike që mund të shpjegojnë këto rezultate, dhe kërkime të mëtejshme do të na ndihmojnë të zbulojmë pse ushtrimet kanë një ndikim kaq pozitiv.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë