Ushtria shqiptare po vuan mungesën e rekrutëve të rinj dhe për këtë arsye, Ministria e Mbrojtjes fton të gjithë të rinjtë të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura Shqiptare.
Nga Elbasani, i shoqëruar shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Bajram Begaj, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka ndjekur nga afër procesin e rekrutimit për ushtarë-detarë në FA.
AI e ka cilësuar tejet të rëndësishme fushatën e nisur në çdo qytet të vendit, duke joshur këtë kategori edhe përmes pagës.
“Ne sot i shikojmë në sy të gjithë të rinjtë dhe të rejat, të cilëve ju drejtojmë ftesën për tu bërë pjesë e FA, sepse kemi arritur t’i japim një drejtim dinjitoz duke filluar nga paga. Siç e dini kemi një rritje prej 30% nga ushtari i parë tek Gjenerali, që do të thotë ai që sot rekrutohet në ushtri merr një pagë më shumë se 50 mijë lekë të reja që në momentin e parë”, - tha ai.
Peleshi shtoi se FA-të kanë një prezantim dinjitoz në misionet e NATO-s prej më shumë se 20 vitesh në zona si Afganistani, Iraku, Kosova, Bosnja, Afrika apo Letonia.
Duke ftuar djemtë dhe vajzat të bëhen pjesë e FA-ve përmes këtij procesi rekrutimi, ministri i Mbrojtjes ka thënë se ata kanë mundësi të ngrihen në karrierë dhe të përfitojnë nga trajnimet brenda dhe jashtë vendit.
Fushata e rekrutimit ka nisur edhe në Tiranë dhe do të vijojë deri më 20 janar 2022.
Rreth 400 vende të lira janë sot pranë FA-ve për ushtarë dhe detarë aktivë. Procesi është i hapur për të gjithë të rinjtë apo të rejat nga 18 deri në 27 vjeç me arsim 9-vjecar, të mesëm apo të lartë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.