Politike

Ushtarakët shqiptarë do të dëshmojnë në Kuvend për luftën e Kosovës

Komisioni i Posaçëm i ngritur nga Kuvendi shqiptar për të hetuar akuzat e hedhura në raportin e Dick Martyt, sipas të cilit në Shqipëri janë kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës së Kosovës zhvilloi këtë të premte mbledhjen e tij të tretë.

Në këtë mbledhje, kreu i këtij Komisioni, Ulsi Manja tha se janë marrë në dorëzim materialet informuese nga Shërbimi Informativ Shtetëror, që për shkak të sekretit që mbartin nuk mund të shqyrtohen në publik dhe as të aksesohen nga persona që nuk kanë certifikatën e sigurisë.

Anëtarët e Komisionit të Posaçëm e kanë certifikatën e sigurisë, përveç njërit që është në proces për marrjen e kësaj certifikate, të paktën siç tha kreu i këtij komisioni, Ulsi Manja.

Por, risia në këtë mbledhje të Komisionit ishte kërkesa e bërë nga deputeti dhe anëtari i tij, Enver Roshi. Ai kërkoi që Komisioni të thërrasë në seanca dëgjimore ish-ushtarakët e Shqipërisë që kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës.

“Një pjesë nga komandantët dhe gjeneralët shqiptarë kanë qenë në luftën e Kosovës dhe di që një pjesë e tyre kanë qenë edhe në Hagë për të dëshmuar mbi të ashtuquajturat krime të kryera nga UÇK në Kosovë dhe Shqipëri. A mundemi të thërrasim këta komandantë që të raportojnë në Komisionin këtu?”, tha deputeti Roshi.

Kreu i këtij Komisioni, Ulsi Manja tha se në kalendarin e punimeve janë përcaktuar disa seanca dëgjimore dhe nuk përjashtohet mundësia e thirrjes së ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë që morën pjesë aktive në luftën për çlirimin e Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë