Shendet

Ushqimi jo i shëndetshëm në shkollat shqiptare -masa ka, mbrojtje jo

Nga Gazeta Si- Shqipëria ka masa për kufizimin e marketingut të ushqimeve në shkolla por nuk ka marrë masa të zgjeruara jo në zonat përreth shkollave.

Kjo, sipas udhëzuesit të fundit të OBSH-së, e pozicionon Shqipërinë në një nivel të ndërmjetëm, krahas vendeve që kanë marrë masa por pas shteteve që kanë vendosur rregulla më të rrepta dhe gjithëpërfshirëse.

Udhëzuesi “Politikat dhe ndërhyrjet për të krijuar mjedise të shëndetshme ushqimore në shkolla” nuk jep detaje të hollësishme për zbatimin konkret të këtyre masave në Shqipëri, duke sugjeruar se politikat ekzistuese nuk janë domosdoshmërisht të plota, të unifikuara apo të monitoruara rregullisht.

Për ekspertët e shëndetit publik, kjo tregon se megjithëse Shqipëria ka ndërmarrë hapa fillestarë, mbetet ende hapësirë për forcimin e kuadrit ligjor dhe mbrojtjen më efektive të fëmijëve nga marketingu i ushqimeve jo të shëndetshme.

“Është e rëndësishme të theksohet se asnjë ndërhyrje e vetme nuk mund të sigurojë që të gjithë elementët e mjedisit ushqimor shkollor të promovojnë dhe mbështesin dietat e shëndetshme. Përkundrazi, kërkohet një grup i koordinuar dhe gjithëpërfshirës veprimesh politike”, thuhet në udhëzues.

OBSH thotë se pavarësisht njëfarë përparimi në zbatimin e politikave për të promovuar dieta të shëndetshme në dhe përreth mjedisit shkollor, qeveritë vazhdojnë të përballen me sfida në përpjekjet e tyre për të zhvilluar dhe zbatuar politika mbështetëse, të cilat shpesh rezultojnë në politika të dobësuara, të vonuara ose të dështuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë