Gazeta Si – Arrat dhe drithërat zgjasin jetën, shumë mish i kuq (dhe i përpunuar) dhe pije me sheqer e shkurtojnë atë.
Është ky rezultati, me pak fjalë, i një studimi të bazuar në 41 rishikime sistematike dhe analiza që përfshijnë mbi një milion njerëz, në të cilin morën pjesë edhe studiues nga Universiteti i Bolonjës.
Punimi, i publikuar në revistën “Advances in Nutrion”, ekzaminoi ndikimin e 14 grupeve ushqimore në rrezikun e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet: drithërat (të plota dhe të rafinuara), frutat, perimet, arrat, bishtajoret, peshku dhe ushqimet e detit, vezët, qumështi dhe produktet e qumështit, mishi dhe produktet e mishit (përfshirë pijet e përpunuara me sheqer dhe sheqerna shtesë).
“Të mirë” dhe “të keq”
Rezultatet janë të qarta dhe, në një farë mënyre, kurioze. Një dietë shumë e pasur me arra, drithëra, fruta, perime dhe peshk, është e lidhur fort me një reduktim të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, kështu që këto grupe ushqimore (veçanërisht arrat dhe drithërat), luajnë një rol mbrojtës në shëndetin e përgjithshëm dhe jetëgjatësinë.
Edhe pse në një masë më të vogël, ekziston gjithashtu një lidhje midis konsumit të lartë të bishtajoreve dhe mishit të bardhë dhe rrezikut më të ulët të vdekjes.
Përkundrazi, marrja e shpeshtë e mishit të kuq dhe të përpunuar dhe pijeve me sheqer, ndërlidhet me një rritje të vdekshmërisë: prandaj këto ushqime duhet të kufizohen sa më shumë që të jetë e mundur nëse dëshironi të jetoni gjatë.
Konsumi i bollshëm i sheqernave të shtuara, drithërave të rafinuara dhe vezëve, ka prirje të lidhet me rritjen e vdekshmërisë, megjithëse në një masë të parëndësishme.
Së fundmi, sa i përket produkteve të qumështit, nuk u gjet asnjë lidhje me jetëgjatësinë, qoftë pozitive apo negative.
Ushqime esenciale
“Rezultatet tona konfirmojnë përfitimet e jetëgjatësisë që lidhen me rritjen e konsumit të arrave, drithërave, frutave, perimeve dhe peshkut, të gjitha të lidhura qartë me shkallë më të ulët të vdekshmërisë, – shpjegojnë studiuesit. – Këto ushqime janë përgjithësisht të pasura me lëndë ushqyese thelbësore, duke përfshirë vitamina, minerale, fibra dietike dhe yndyrna të shëndetshme, të cilat janë thelbësore për minimizimin e inflamacionit, përmirësimin e shëndetit metabolik dhe parandalimin e sëmundjeve jo të transmetueshme, si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti i tipit 2 dhe kanceret”.
Ushqimet për jetëgjatësi përmbajnë antioksidantë dhe substanca bioaktive që ndihmojnë në reduktimin e stresit oksidativ, duke ndihmuar në rritjen e funksionit imunitar dhe funksioneve endoteliale (endoteli është indi që rreshton pjesën e brendshme të mureve të zemrës, enëve të gjakut dhe limfatikeve, duke krijuar një barrierë për jashtë).
Yndyrna dhe sheqerna të ngopura
Në të kundërt, konsumimi më i madh i mishit të përpunuar, mishit të kuq të papërpunuar dhe pijeve me sheqer, shoqërohet me një rrezik të shtuar të vdekshmërisë.
Si nivelet e larta të yndyrave të ngopura që gjenden në mishin e kuq (dhe të përpunuar), ashtu edhe nivelet e larta të sheqernave të lira shoqërohen me inflamacion, rezistencë ndaj insulinës dhe stres oksidativ.
Inflamacioni kronik dhe stresi oksidativ janë procese të njohura që favorizojnë shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, tumoreve dhe patologjive të tjera.
Prandaj, studimi i ri konfirmon se dieta luan një rol themelor në zhvillimin e shumë sëmundjeve jo të transmetueshme, të cilat janë përgjegjëse për rreth dy të tretat e të gjitha vdekjeve në nivel global (mbi 66%), me sëmundjen ishemike të zemrës (furnizimi i pamjaftueshëm me gjak dhe oksigjen në muskulin e zemrës) në krye të listës, si shkaku kryesor i vdekjeve.
Parandalimi i sëmundjeve
Marrëdhënia midis ushqyerjes dhe jetëgjatësisë, ndërmjetësohet nga faktorë të ndryshëm metabolikë dhe kardiovaskularë që duhet të merren parasysh, duke përfshirë hipertensionin, hipergliceminë, një profil jonormal të lipideve dhe një indeks të lartë të masës trupore.
“Meqenëse modelet ushqimore jo optimale janë faktorë rreziku të parandalueshëm për sëmundjet kronike jo të transmetueshme, të kuptuarit se si grupe të ndryshme ushqimore lidhen me vdekshmërinë është thelbësore, – nënvizojnë studiuesit. – Ky studim thekson se si dieta luan një rol themelor në parandalimin e sëmundjeve të tilla, si hipertensioni, diabeti dhe problemet kardiovaskulare: rezultatet ofrojnë njohuri të rëndësishme për hartimin e udhëzimeve dhe masave të shëndetit publik”.
Sipas ekspertëve, ekziston nevoja për punë të mëtejshme që eksplorojnë dallimet brenda nëngrupeve ushqimore.
“Përpjekje të tilla mund të sqarojnë nëse disa fruta, perime, mish ose drithëra, janë pak a shumë të dobishme dhe se si faktorë të caktuar (metodat e përgatitjes, konteksti dietik dhe ndikimet kulturore) kontribuojnë në rezultatet shëndetësore”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



