Futboll

Useini largohet nga Flamurtari, Idrizi: Do ndjekim rrugët ligjore

Fatjon Rupi – Muhamedin Useini është futbollisti i katërt i larguar nga Flamurtari në javët e fundit, pas brazilianit Danilo Alvesh, i cili ka pohuar nuk dëshiron të kthehet në Vlorë pa marrë garanci financiare, Tomisllav Bushiçit dhe Goran Siljanovskit. Për klubin vlonjat ka kohë që flitet për një çështje pagash të prapambetura, për një përplasje mes administratorit Sinan Idrizi dhe bashkisë së qytetit në lidhje me një borxh që kjo e fundit duhet të kthejë, dhe për futbollistë që largohen. Një situatë e vështirë.

Për sa paga të prapambetura bëhet fjalë? “Janë disa, – thotë Useini për Gazeta Si, – por pa përmendur shifra. – Me shumë gjasa, e kam mbyllur në Vlorë. Jam familjar, ndaj mora këtë vendim”, – shprehet më tej mesfushori 30-vjeçar nga Tetova. Një nga futbollistët më të respektuar në Vlorë, për shkak edhe të karakterit të tij luftarak në fushë. Në ndeshjen me Teutën trajneri Ilir Daja i besoi shiritin e kapitenit dhe me largimin e tij skuadra vlonjate humbet jo pak.

Useini gjatë një ndeshjeje me Flamurtarin

Për ta bërë më të qartë situatën e pagave, Gazeta Si ka kontaktuar me administratorin e klubit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, i cili është shprehur se për futbollistët e larguar do të ndiqen rrugët ligjore, pra çështja do të shkojë në gjyq, sepse ata janë paguar. “Pyetini këta futbollistë sa dollarë kanë marrë nga gushti në dhjetor të vitit të kaluar. Kanë marrë 30% të vlerës së kontratës që në muajin gusht, që korrespondon me tre rroga mujore. Po ashtu, kam dhënë edhe një shumë prej 15 mijë eurosh në muajin dhjetor, që i bie një muaj rrogë për çdo futbollist, 4 mijë euro për secilin. Tani këta zotërinj 30%-shin marrë në gusht nuk e quajnë, shumën e dhënë në dhjetor, që unë e fus te rrogat, përsëri nuk e quajnë…Janë 4 rroga. Nuk di çfarë të them. Për fitoren me Kukësin kam dhënë 20 mijë euro premio.

Administratori i klubit vlojat, Sinan Idrizi

Që të kesh të drejtë të largohesh nga ekipi, duhet të kesh të paktën 3 muaj pa u paguar. Tani do të merrem unë me ta, do ta ndjekim çështjen në gjyq. Nuk kam më tolerime. Këta abuzojnë me një klauzolë në kontratë, sipas së cilës duhet të shpërblehen me 30% të kontratës. Por mund ta marrësh këtë shpërblim në fillim, mund ta marrësh edhe në fund. Kjo shumë prej 30%, që e marrin paradhënie, çfarë është? Veprimet janë bërë në bankë, unë i kam të gjitha. Nuk mund të thuash se ato tre rroga të gushtit janë marrë për qejf, ashtu si dhe shuma e dhënë në dhjetor”, – sqaron numri 1 i klubit vlonjat.

Një çështje më vete për klubin kuqezi është edhe marrëdhënia me Bashkinë e Vlorës. Administratori Idrizi thotë se ka çuar dy herë letër te ky institucion për borxhin e pakthyer dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje: “Kjo është një çështje më vete. Është çudi e madhe. Një letër, dy letra dhe nuk të kthejnë përgjigje. Kërkojmë vetëm një vërtetim që e kërkon banka e ndërmjetme se “nga bilancet tuaja, këto janë paguar për borxhet e vjetra”. Le të thonë: bashkia nuk para për të paguar. Nuk ka problem”.

Tashmë klubi i Flamurtarit do të hapë gjyq me futbollistët e larguar së fundi. Vlonjatët po përgatiten për ndeshjen e kthimit në Kupën e Shqipërisë me Tiranën, ku kualifikimi duket shumë i vështirë, pas humbjes 2-0 në ndeshjen e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë