Lojëra me Dore

US Open/ Vazhdon ëndrra e Alkaraz, 18-vjeçari spanjoll kalon në çerekfinale

Ëndrra e bukur e US Open po vazhdon për Karlos Alkaraz, spanjollin që arriti të eliminonte numrin 3 në botë, Stefanos Tsitsipas. Ai ka mundur në fazën e 1/8-ve, pas 5 setesh, gjermanin Peter Gojovczik (5-7, 6-1, 5-7, 6-2, 6-0). Tenisti 18-vjeçar do ndeshet në çerekfinale me Feliks Auger-Aliasime, kanadezin që mundi me përmbysje Frensis Tiafoe (4-6, 6-2, 7-6, 6-4).

Askush të mos e “zgjojë” Karlos Alkaraz! Në moshën 18 vjeç e 4 muaj, spanjolli është tenisti më i ri në moshë i erës “Open” që arrin në çerekfinale të turneut amerikan. Ai ka fituar një tjetër betejë me 5 sete. Spanjolli mposhti Peter Gojovczik me një pjesë të dytë të ndeshjes fantastike. Alkaraz i dominoi totalisht 3 setet që fitoi, ndërsa dy sete i humbi me të njëjtin rezultat, 5-7.

Alkaraz gjatë ndeshjes së fundit. Gazeta Si, 6 shtator 2021

Alkaraz nuk ka ndërmend të ndalet, pavarësisht gati 8 orëve lojë mes turit të tretë dhe 1/8-ve. Për të shkuar në gjysmëfinale, 18-vjeçari duhet të kalojë Feliks Auger-Aliasime. Kush fiton mes të dyve mund të ndeshet në gjysmëfinale me numrin 2 në botë, Danil Medvedev.

Te femrat duhet theksuar se nuk pati asnjë problem për numrin 2 në botë, Arina Sabalenka, e cila mundi 6-4 dhe 6-1 Elise Mertens. Në çerekfinale, bjellorusja do të përballet me Barbora Krejçikovën, çeken që mundi Garbine Muguruzën 6-3, 7-6.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë