Ka nisur me një sukses perfekt me 3 sete rrugëtimi në US Open i Danil Medvedev. Rusi, numri 2 në botë, mundi 6-4, 6-3 dhe 6-1 francezin Riçard Gasket, duke kaluar kështu në turin e dytë, ku e pret Dominik Koepfer. U deshën 2 orë lojë që Medvedev ta mbyllte ndeshjen.
Ndryshe ka qenë situata për Stefanos Tsitsipas. Tenisti grek vuajti shumë dhe iu desh seti i pestë për të mposhtur ish-numrin 1 në botë, Andi Mërrei. 23-vjeçari u mund 2-6 në setin e parë dhe barazoi llogaritë vetëm me “tie-break”, ku fitoi 9-7, pasi anuloi dy “set point”-e në favor të britanikut që ishte shumë afër avantazhit të dyfishtë.

Por edhe më pas problemet për grekun vazhduan. Ai humbi setin e tretë dhe me vështirësi barazoi, për t’ia lënë gjithçka setit të pestë, ku në fakt bëri diferencën. Në turin e dytë, kundërshtari i Stefanos Tsitsipas do të jetë Adrian Mannarino, që në derbin francez mundi me përmbysje Herbert: 3-6, 4-6, 6-4, 6-3 dhe 6-3. Edhe këtë herë Tsitsipas ka vazhduar me zakonin e të shkuarit në tualet, duke shkaktuar pakënaqësi te Mërrei.

Një nisje të mirë të US Open kanë bërë edhe emrat e mëdhenj të tenisit të femrave. Naomi Osaka mundi çeken Marie Bouzkova 6-4, 6-1. Japonezja, numri 3 në botë, tani do të ndeshet me serben Olga Daniloviç. Elina Svitolina, numri 5 në botë, mundi për pak më shumë se një orë lojë kanadezen Rebeka Marino, 6-2, 6-3. Ukraiansja gjen në turin e dytë Rebeka Masarova, pasi kjo e fundit mundi rumunen Ana Bogdan. Rrezikoi eliminimin amerikanja Kori Gauf, e cila kaloi polken Magda Linete 5-7, 6-3, 6-4.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




