Lojëra me Dore

US Open/ Medvedev gjysmëfinalisti i parë, synon hakmarrjen ndaj Gjokoviç

Danil Medvedev është si një tren, që ecën drejt në rrugën e tij. Tenisti rus, numri 2 në botë, që ëndërron të përballet dhe hakmerret ndaj Novak Gjokoviçit, – i cili e mundi në finalen e “Australian Open” në fillim të vitit, – është gjysmëfinalisti i parë i US Open. Kështu ndodhi edhe vitin e kaluar, kur rusi u mund në gjysmëfinale nga Thiem, që më pas u shpall kampion i turneut.

Këtë herë ishte surpriza Botik Van de Zandshulp, holandezi që tentoi pa sukses të ndalte rusin në çerekfinale. Ndeshja përfundoi me rezultatin 3-1 (6-3, 6-0, 4-6, 7-5) dhe ndryshe nga ndeshjet e luajtura deri tani, Medvedev e lejoi kundërshtarin të fitonte një set. “Në fakt, ishte ai që bëri disa gjëra ndryshe nga dy setet e para, – tha pas ndeshjes Medvedev. – Shërbeu mirë, më krijoi probleme me gjuajtjet e tij”.

Danil Medvedev pas kalimit ne gjysmefinale. Gazeta Si, 7 shtator 2021

Holandezi në fakt ka eliminuar rivalë të nivelit të lartë, si Kasper Rud dhe Diego Shvartzman. Por ndaj Medvedevit iu desh të kënaqej vetëm me fitimin e një seti dhe komplimentet e numrit 2 në botë. Gjatë mbrëmjes do të ndeshen në çerekfinale Feliks Auger Aliasime dhe 18-vjeçari Karlos Alkaraz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë