Gazeta Si – Sipas një burimi të ‘The Tennis Podcast’ dhe gazetarit amerikan Xhon Uertheim, skuadra e Koko Gauf ka kërkuar me ngulm të luhej në orën 12 për të penalizuar letonezen, që vuajti temperaturat e larta dhe ndërkohë kishte pushuar më pak.
Koko Gauf ka kaluar në gjysmëfinale të US Open, duke mundur në çerekfinale letonezen Aljona Ostapenko, e cila kishte eliminuar Iga Shviatek, ish-numrin 1 në botë. Ndeshja nuk pati histori, 6-0 dhe 6-2 neto e 19-vjeçares amerikane. Por kjo ‘masakër’ e ka një shpjegim logjik, që lidhet me Bred Gilbert, prej pak kohësh në skuadrën e Gauf.
What a match point from @CocoGauff❗️
— US Open Tennis (@usopen) September 5, 2023
How it sounded on #USOpen radio 🎙️⤵️ pic.twitter.com/m4DGbBkk1A
Në korridoret e ‘Billie Jean King National Tennis Centre’, sipas asaj që bën me dije ‘The Tennis Podcast’ dhe Xhon Uertheim, një gazetar i famshëm amerikan, ka zëra se skuadra e Gauf kishte bërë presion që ndeshja e 19-vjeçares të luhej në mesditë dhe jo në mbrëmje.
Arsyeja? Duket se Ostapenko e urren të nxehtin dhe në Nju Jork temperaturat shënonin 38 gradë në mesditë, me 70% lagështi. Po ashtu, letonezja kishte fjetur në orën 3.30 të natës mes të dielës dhe të hënës, pas ndeshjes me Shviatek. Pra, kishte pushuar më pak se amerikania.
Gauf është mësuar të stërvitet në Florida, me diell, ndaj dhe nuk kishte probleme adaptimi. Rezultati? Në pak më shumë se një orë ajo siguroi gjysmëfinalen, duke dominuar ndeshjen. Ostapenko, si për të nxehtin, ashtu edhe për tensionin, u shua menjëherë. Viktimë e një truku të Gilbert? Polemikat janë të mëdha për këtë fakt.
Ka kaluar pa probleme ndërkohë në gjysmëfinale të US Open Novak Gjokoviç. Serbi fitoi 6-1, 6-4, 6-4, në dy orë e 35 minuta, ndaj amerikanit Tejlor Fritz. Pa një nisjeje pak të vështirë, Gjokoviç më pas dominoi setin e parë, administroi mirë të dytin dhe pastaj neutralizoi tentativat për përmbysje të amerikanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.