Lojëra me Dore

US Open/ Alkaraz në raundin e dytë pa u lodhur, jashtë Venus Uilliams te femrat

Gazeta Si – Në ditën e dytë të US Open, numri 1 në botë dhe fituesi i këtij turneu në 2022-shin, Karlos Alkaraz, ka kaluar turin pas tërheqjes së Dominik Koepfer. Kanë avancuar edhe Hurkacz dhe Monfils, që kanë eliminuar Huesler dhe Daniel. Te femrat asnjë problem për Sabalenkën, jashtë Venus Uilliams.

Karlos Alkaraz ne Us Open. Gazeta Si, 30 gusht 2023

Karlos Alkaraz kaloi në turin e dytë të Slam-it të fundit sezonal pa shpenzuar energji. Gjermani Dominik Koepfer u detyrua të tërhiqej për shkak të një problemi në kavilje në setin e parë. Spanjolli e fitoi këtë set 6-3 në pak më shumë se gjysmë ore lojë. Koepfer e kishte të pamundur të vazhdonte dhe braktisi ndeshjen.

Në turin e dytë Alkaraz do të ndeshet me afrikanojugorin Harris, i cili eliminoi argjentinasin Pela. Në mbrëmjen e ‘Flushing Meadows’ nuk kanë gabuar as Hurkacz e Monfils, edhe pse polakut iu desh të djersiste për të kaluar Huesler. Francezi mundi pas 4 setesh Daniel.

Arina Sabalenka, numri 2 i klasifikimit botërr, bëri një debutim bindës në Us Open, duke mundur belgen Zanevska 6-3, 6-2. Kundërshtarja e radhës për bjellorusen do të jetë anglezja Burrage, që mundi Blinkovën.

Është eliminuar menjëherë Venus Uilliams, e mundur nga Minen me një dopio 6-1. Amerikanët mund të buzëqeshin për fitoret 7-6, 6-4 të Sofia Kenin ndaj Ana Bogdan dhe Sachia Vikeri ndaj Dona Vekiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë