Ne rrjet

Uri në Gaza, biznes nëpër botë. Cilët janë rrjetet ndërkombëtare që e financojnë Hamasin?

Nga Gazeta ‘Si’-Ndërsa njësitë e këmbësorisë së ushtrisë izraelite, po lëvizin pranë ish-vendbanimit izraelit Netzarim përgjatë rrugës Salah Ad-Din, që lidh veriun me jugun e Rripit të Gazës, duke e përshkallëzuar më tej operacionin ushtarak, po vazhdon përhapja e informacioneve në lidhje me situatën humanitare të territorit të administruar nga Hamasi.

Situatat në spitale është shumë shqetësuese për shkak të bombardimeve dhe rrethimit. Të tilla janë edhe historitë e banorëve të Gazës, që janë të detyruar të sulmojnë dhe grabisin magazinat me ushqimet e dërguara nga Kombet e Bashkuara.

Pra ekziston një nevojë njerëzore për mbijetesë në një nga zonat më të varfra të botës, ku Hamasi – organizata terroriste politiko-ushtarake përgjegjëse për sulmin brutal të 7 tetorit –ka qeverisur prej vitesh sipas rregullave të një regjimi militarist shumë të ideologjizuar.

Një pjesë e mirë e fondeve të qeverisë së Gazës, përdoren për të financuar një makineri lufte asimetrike, e cila që nga Shabati i përgjakshëm i fillimit të tetorit, dhe deri tek aktivitetet e vazhdueshme informative dhe kryengritëse të ditëve të fundit, është vënë në lëvizje duke treguar kapacitet dhe fanatizëm.

Kapacitete që janë në kontrast me gjendjen e popullsisë civile. Sigurisht, është e vërtetë se një pjesë e problemeve të Gazës shkaktohen nga ngadalësimi i ndërlidhjeve i imponuar nga Izraeli, dhe jo vetëm në këtë fazë. Por është po aq e qartë përgjegjësia e lidershipit palestinez për keq-menaxhimin e territorit, përfshirë krijimin e izolimit ekstrem, duke e përdorur ideologjinë si një armë për të mbajtur një kontroll të fortë mbi pushtetin duke injoruar nevojat reale të komunitetit.

Me një normë papunësie prej 47 për qind dhe me mbi 80 për qind të popullsisë që jeton në varfëri, Hamasi ka qenë gjithsesi në gjendje të financojë një forcë të armatosur prej mijëra anëtarësh, të pajisur me raketa dhe dronë, si dhe të ndërtojë një rrjet të gjerë tunelesh nën Gaza.

Kjo sepse ai përfiton nga forma të ndryshme financimi, nga ata që kanë interes për ta mbështetur dhje përhapur atë ideologji, dhe për ta mbajtur Izraelin nën një gjendje e vazhdueshme pasigurie. Ku aspekt përcakton edhe aftësinë reale të Jeruzalemit për të ushtruar projeksionin e tij gjeopolitik.

Po kush i jep fonde Hamasit? Burimet e financimit në Gaza përfshijnë para së gjithash ndihmën ndërkombëtare, e cila vjen përmes agjencive shumëpalëshe (veçanërisht ato të OKB-së) si dhe nga aktivitetet jofitimprurëse të dhjetëra oqj-ve.

Shumica e këtyre të fundit janë në fakt palë të treta, që janë pjesë e një sistemi i cili funksionon kundër Izraelit për shkak të ideologjisë apo interesave gjeopolitike. Pjesa më e madhe e fondeve që mbërrijnë në Gaza janë të ligjshme, si për shembull ndihma financiare nga Katari (e kanalizuar përmes Kombeve të Bashkuara).

Pas tërheqjes së Izraelit nga Rripi i Gazës në vitin 2005, Doha – e lidhur me Hamasin për shkak të interpretimit të Islamit sipas frymëzimit nga Vëllazëria Myslimane – ofroi miliarda dollarë ndihmë financiare. Në vitin 2021, u arrit një marrëveshje e re për shpërndarjen e fondeve përmes OKB-së.

Aktualisht emirati dërgon çdo vit në Gaza rreth 1.49 miliardë dollarë përmes një sistemi, për të cilin Doha thekson se është plotësisht transparent dhe i koordinuar me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara. Gjithsesi marrëveshja e 2 viteve më parë, pasqyron shqetësimet në rritje mbi mënyrën e shpërndarjes së fondeve.

Sepse ekziston frika se Hamasi e përzien ndihmën civile dhe humanitare me investimet e destinuara për aktivitete ushtarake, si dhe rreziku që financimi nga komuniteti ndërkombëtar të përfundojë duke e lehtësuar këtë të fundit. Ndërkohë fonde të tjera, cilësohen tashmë të dyshimta, përfshirë taksat jozyrtare dhe shantazhet, kontrabandën, trafikun e armëve.

Apo edhe trafiku i drogës me Amerikën e Jugut, një aktivitet në të cilin angazhohen edhe grupime të tjera që i përkasin frontit të rezistencës me në krye Pasdaran-in iranian, të pozicionuar mes Brazilit, Paraguait dhe Argjentinës për të mbrojtur trafikun edhe nëpërmjet marrëveshjeve me kartelet vendase.

Sipas vlerësimeve të ndryshme, ky biznes kriminal i sjell Hamasit rreth 450 milionë dollarë në vit. Por sulmet e 7 tetorit dhe lufta që e pasoi e ka ri-zhvendosur vëmendjen e përgjithshme nga një situatë, të cilën ata që kanë ndjekur dinamika të caktuara e kanë ditur prej vitesh.

Në kushtet aktuale rrezikojnë të bien në vesh të shurdhër apelet e vazhdueshme për gjurmimin e fondeve. Për shembull, Irani ka qenë një financues i madh dhe i qëndrueshëm i Hamasit që nga viti 1990, duke i siguruar aktualisht rreth 100 milionë dollarë në vit.

Hamasi merr njohuri dhe pajisje ushtarake nga brigadat Ezzedim Al Qassem, të cilat u përkasin milicive përgjegjëse për krimet e tmerrshme të disa javëve më parë. Në një intervistë dhënë gjatë tetorit dhe që u shfaq në televizioni n rus Russia Today, zyrtari i lartë i Hamasit, Ali Baraka tha se “Irani që po na jep para dhe armë”.

Vitin e kaluar, udhëheqësi tjetër i nivelit të lartë Isamil Haniyeh tha për televizionin Al Jazeera, se Irani i dha grupit 70 milionë dollarë për të mbështetur planin e tij të mbrojtjes. Për më tepër, Hamasi ka marrë fonde nga partnerë ideologjikë në Turqi, Kuvajt dhe Malajzi.

Po ashtu ai ka pasur donatorë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Ky është një financim që vjen nga sektori privat, organizata (shpeshherë të maskuara si jo-fitimprurëse) apo qytetarë të caktuar.

Nga ana tjetër siç është analizuar nga një raport nga Projekti Kundër Ekstremizmit, ka prova se Hamasi ka investuar në pasuri të paluajtshme dhe biznese në mbarë botën, dhe ka përdorur kriptovaluta për t’iu shmangur sanksioneve financiare ndërkombëtare.

Sipas të dhënave të Thesarit të SHBA-së në maji të vitit 2022, udhëheqja e Hamasit i ka investuar të ardhurat e saj (përfshirë interesat personale) në një portofol investimesh ndërkombëtare me vlerë 500 milionë dollarë:pasuritë e paluajtshme dhe asetet e tjera të kompanive që u atribuohen atyre janë vendosur në Algjeri, Arabinë Saudite, Sudan, Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pas sulmit masiv të 7 tetorit, që ndezi krizën izraelito-palestineze, qeveria italiane vendosi të forcojë masat e sigurisë. Ajo ka rritur edhe shkëmbimin e informacionit me aleatët dhe partnerët, duke përfshirë struktura të ngjashme në vendet e Lindjes së Mesme, dhe analizën e lëvizjeve bankare.

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet grupeve palestineze që kanë qenë historikisht aktive në Itali. Këto janë shoqata që iu referohen fraksioneve të ndryshme dhe që përdorin mënyra të ndryshme për të mbrojtur kauzën e tyre. Në të kaluarën, disa nga liderët janë akuzuar se kanë mbledhur para për të financuar Hamasin.

Midis tyre është Mohammad Hannoun, një arkitekt në banim në Xhenova dhe president i një shoqate palestineze në Itali, i dyshuar për pastrimin e parave që financojnë Hamasin, nëpërmjet shoqatave të tij dhe miqve të disa drejtuesve të Lëvizjes Pesë Yjet (si për shembull ish- deputeti Alessandro Di Battista).

Shoqata e Hannoun “dyshohet se shërben si një mbulesë për Hamasin; si përfaqësuesja e supozuar italiane e Vëllazërisë Myslimane; e dyshuar për përfshirje, tërësisht ose pjesërisht, në përvetësimin e fondeve të bamirësisë për financimin e aktivitetit terrorist të Hamasit në Lindjen e Mesme” siç raporton gazeta italiane “La Verità”.

Në korrik të këtij viti, Ministria izraelite e Mbrojtjes i kërkoi Italisë të sekuestronte 500 mijë dollarë të cilat u transferuan nga Hamasi tek llogaritë bankare të Hannoun. Një masë kufizuese e cila për momentin nuk duket se ka gjetur konfirmim në vendin tonë, shkruan Linkiesta ditët e fundit.

Ndërkohë Hannoun është ende i lirë të organizojë demonstrata në Milano dhe Genova duke lavdëruar Intifadën e radhës deri në fitore. Në një intervistë të ditëve të fundit për organizatën italo-palestineze të lajmeve Infopal , ai e përkufizoi Izraelin si një shtet “kolonizator, supremacist, racist”, duke shtuar se “në botën multipolare” – një përkufizim që i referohet qartë projekteve revizioniste të Rusisë dhe Kinës – nuk do të ketë vend për të”.

Burimi: Formiche.net/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë