Shendet

Urgjenca e re në QSUT nis punën, por vetëm me një sallë operatore

Nga Gazeta Si- “Babai im u operua në fund të muajit prill pas një problemi kardiak që i rrezikoi jetën nëse nuk do të ndërhyhej në kohë.

Operacionin e kryem me mjekë kardiokirurgë të QSUT, por në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Këtë javë kryem vizitën post operatore, por u detyruam ta bënim në privat pasi shërbimi i hemodinamikës vijon të mos jetë në funksion të plotë”.

Rasti i E.M nuk është i vetmi që po kryen vizitat në shërbimin privat pas daljes nga funksioni të urgjencës së re.

Prej datës 11 shkurt të këtij viti, kur urgjenca e re në QSUT u mbyll si pasojë e zjarrit që ra në katin -1,  puna ka nisur prej disa javësh, por jo në funksion të plotë.

Burime konfidenciale i thanë Gazetasi.al se shërbimi i hemodinamikës është hapur, por akoma nuk ka nisur aktiviteti normal, siç ishte para incidentit të 11 shkurtit.

“Mjekët vijojnë të operojnë tek spitali “Shefqet Ndroqi”, pasi në QSUT është hapur vetëm një sallë operatore e cila është në dispozicion të rasteve të planifikuara. Kurse rastet e urgjencës vijojnë ti përballojnë dy spitalet e tjera, ai i Traumës dhe spitali në Sauk që po përballon peshën më të madhe të ndërhyrjeve kirurgjikale”, thonë burimet për Gazetasi.al.

Mjekët thonë se me rritjen e temperaturave janë rritur rastet kardiake, jo vetëm në Tiranë por dhe nga rrethet.

Nevoja për funksionimin e plotë të urgjencës së QSUT është imediate, por sipas burimeve arsyeja kryesore është mosvënia akoma në punë e pajisjeve mjekësore pa të cilat s’mund të konceptohet kryerja e ndërhyrjeve kirurgjikale.

Në datën 24 qershor, ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu u shpreh se pacientët nga e gjithë Shqipëria do të kenë mundësinë të kryejnë koronarografinë në shërbimin e hemodinamikës në QSUT.

Sipas saj, ky shërbim, i cili është kyç për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare, më parë ishte i ndarë mes Qendrës Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi”, Spitalit Rajonal Memorial Fier dhe Spitalit Rajonal të Shkodrës.

Sipas saj, rikthimi i këtij shërbimi për qytetarët do të lehtësojë aksesin dhe shpejtësinë e trajtimit për pacientët që kanë nevojë për koronarografi, duke reduktuar kështu kohën e pritjes dhe përmirësuar ndjeshëm cilësinë e kujdesit shëndetësor në vend.

Por duket se pritja do të vazhdojë pasi, ndërhyrjet kirurgjikale kryhen akoma tek spitali “Shefqet Ndroqi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë