Pas arrestimit të mjekut anestezist Fitim Marku në Spitalin e Traumës në Tiranë në fundjavë dhe shoqërimit të disa bluzave të bardha, Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë ka dënuar "sjelljen e paprecedent të policisë".
Në një prononcim për Gazetasi.al, kryetari i Urdhrit të Mjekëve, Fatmir Brahimaj tha se është e disata herë që policia dëmton imazhin e mjekut përmes aksioneve të bujshme policore.
Brahimaj tha se megjithëse mitmarrja është vepër penale, akoma pa u verifikuar fajësia e mjekut, i akuzuari nuk duhet të linçohet në publik, përmes aksioneve bombastike.
“Në çdo deklaratë publike që kemi bërë, kemi një qëndrim. Dënojmë aktin e mitmarrjes por nuk jemi për të dëmtuar imazhin e çdo mjeku, pasi kjo cenon më pas marrëdhënien e besimit mjek-pacient. Kjo është më e rëndë, sepse nëse mitmarrja është vepër penale dhe ndëshkimi është personal, kjo vepër nuk duhet të përgjithësojë komunitetin e bluzave të bardha”, u shpreh Brahimaj.
Mjeku i arrestuar, gjatë ditës së hënë pësoi ishemi cerebrale. Shkak mendohet të jetë gjendja e rënduar psikologjike pas arrestimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.