Nga Gazeta “SI”- Ka diçka thellësisht ngushëlluese në praninë e një ure. Ndoshta sepse në një botë të mbushur me ndarje e përçarje, ura na kujton dëshirën njerëzore për t’u lidhur.
Pse janë urat objekte kaq interesante për ne? Shumë mendojnë se adhurimi jonë vjen nga fakti se urat dëshmojnë dëshirën e njeriut për të bashkuar. Teksa ne i shohim, ato na transmetojnë këtë mesazh bashkimi e kjo na qetëson e na jep shpresë. Të gjitha urat e Shqipërisë tregojnë po këtë gjë. Ato dëshmojnë gjithnjë për lidhjet që janë krijuar gjatë historisë mijëvjeçare të vendit. Pasqyrimi i tyre mbi sipërfaqen e ujit thjesht i shton harmonisë së tyre dhe i bën ato muzat e shumë piktorëve e fotografëve
Në Shqipëri, urat nuk janë thjesht objekte inxhinierike: ato janë dëshmi të gjalla të historisë mijëvjeçare të vendit. Çdo hark i tyre flet për lidhje, për udhëtime të largëta, për tregti, për këmbime kulturore, për dashuri dhe luftë.
Më poshtë, sjellim disa nga urat më të njohura në vend jo vetëm si vepra arkitekturore, por si kapituj të rëndësishëm të kujtesës sonë kolektive.
Ura e Mesit, Shkodër
E ndodhur vetëm 5 kilometra nga qyteti i Shkodrës, Ura e Mesit konsiderohet si një ndër më të bukurat dhe më të vizituarat në Shqipëri. E ndërtuar në fillim të shekullit XVIII për të lidhur Shkodrën me Drishtin dhe Cukalin, ajo shtrihet në një gjatësi prej 108 metrash mbi lumin Kir dhe përfshin plot 13 harqe. Është ura më e madhe e periudhës osmane në vend dhe ndër më të dokumentuarat në art përfshirë edhe skicat e udhëtarit dhe poetit britanik Edward Lear në shekullin XIX.

Ura e Goricës, Berat
Një nga ikonat e qytetit të Beratit, Ura e Goricës mban emrin e lagjes historike që lidh me pjesën tjetër të qytetit. Me shtatë harqe dhe një gjatësi prej 130 metrash, ajo përfaqëson një nga veprat më të arrira të arkitekturës osmane. Fillimisht u ndërtua në dru në vitin 1780, por më pas u rindërtua në gur gjatë viteve 1920, duke ruajtur stilin origjinal. Në afërsi të saj ndodhen edhe dy ura të tjera historike , Ura e Kasabashit dhe Ura e Velabishtit që së bashku i japin zonës një pasuri të rrallë monumentale.

Ura e Tabakëve, Tiranë
E vetmja urë që ka mbijetuar në kryeqytet nga periudha osmane, Ura e Tabakëve qëndron sot si një relike mes ndërtimeve moderne pranë bulevardit kryesor. E ndërtuar në shekullin XVIII për të lehtësuar kalimin e prodhimeve bujqësore mbi lumin Lana, ajo humbi funksionin e saj origjinal kur lumi u ridrejtua në vitin 1930. E megjithatë, ajo mbetet një monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe kujtesës urbane të Tiranës.

Ura e Bratajt, Vlorë
E vendosur mbi lumin Shushicë në fshatin Brataj, kjo urë mesjetare daton rreth shekullit XVI dhe mbetet funksionale edhe sot. E ndërtuar me gurë dhe mjeshtëri të rrallë, ajo ka shërbyer si një hallkë e rëndësishme lidhëse për komunitetet rurale të zonës. Më shumë se një rrugëkalim, Ura e Bratajt është dëshmi e rezistencës në kohë dhe e identitetit arkitektonik të jugut të vendit.

Ura e Katiut, Përmet
E ndërtuar në shekullin XIX nga Ali Pashë Tepelena, ura e Katiut është shndërruar kohët e fundit në një nga pikat më të vizituara të jugut shqiptar. Ajo ndodhet vetëm 8 kilometra nga qyteti i Përmetit, në një zonë të njohur për bukurinë natyrore dhe burimet termale të Bënjës , vaskat e famshme kurative që tërheqin vizitorë gjatë gjithë vitit. Ura nuk është shumë e gjatë, por harku i saj elegant krijon një pamje mbresëlënëse mbi lumin. Përveç vlerës historike dhe arkitekturore, zona përreth ka një rëndësi të veçantë arkeologjike, me gjurmë të periudhave parahistorike, që nga Neoliti (7000–3000 p.e.s) deri në Eneolit (3000–2000 p.e.s).

Ura e Ali Pashës , Gjirokastër
Një tjetër dëshmi e vizionit inxhinierik të Ali Pashë Tepelenës është Ura e Ali Pashës, e njohur edhe si Ura e Dunavatit, vetëm 30 minuta në këmbë nga qendra e Gjirokastrës. Kjo urë ka qenë pjesë e një sistemi të sofistikuar ujësjellësi të shekullit XIX, ndërtuar për të sjellë ujë të pastër nga mali i Sopotit deri në qytet. Sot, megjithëse pjesërisht e rrënuar, ajo mbetet një simbol i trashëgimisë osmane në jug të Shqipërisë dhe një destinacion i pëlqyer nga adhuruesit e historisë dhe natyrës.

Në një vend si Shqipëria, ku historitë janë të shtresuara mbi njëra-tjetrën, urat janë më shumë se objekte statike, ato janë rrëfimtare të heshtura, që vazhdojnë të lidhin jo vetëm brigje, por edhe breza.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.