Bota

Uragani ‘Beryl’ / Alarm edhe në Xhamajka, 7 të vdekur. Plagoset zv.presidentja e Venezuelës

Gazeta Si - Alarm maksimal në Xhamajka për shkak të mbërritjes së uraganit “Beryl”, i cili pritet të godasë ishullin duke nisur nga orët e para të pasdites së së mërkurës.

Uragani ka goditur tashmë disa ishuj të Karaibeve, duke prekur edhe Venezuelën, Haitin, Kubën dhe Santo Domingo, duke lënë pas shkatërrime, shtatë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.

Ai do të godasë Ishujt Kajman të enjten. Meksika është gjithashtu në gatishmëri, sepse trajektorja e “Beryl”-it do të prekë edhe brigjet e gadishullit Jukatan dhe qytetin turistik të Kankunit.

“I inkurajoj të gjithë xhamajkanët që ta shohin uraganin si një kërcënim serioz”, tha kryeministri Andreë Holness. “Megjithatë, tani nuk është koha për panik”, shtoi ai. Dy aeroportet kryesore të Xhamajkës janë mbyllur.

Erërat me shpejtësi 230 kilometra në orë

Sipas buletinit më të fundit të motit të lëshuar nga NOAA (Shërbimi Meteorologjik Amerikan), “Beryl” është aktualisht një uragan i kategorisë 4, por ditët e mëparshme kishte arritur edhe nivelin 5, maksimal.

Ai përshkruhet si një ciklon me forcë shkatërruese që mund të rrezikojë jetë. Përveç shiut të dendur, përmbytjeve të shpejta, dallgëve që përfshijnë brigjet dhe erërave të forta me shpejtësi 230 kilometra në orë, mund të shkaktojë tornado, rrëshqitje ujore dhe rrëshqitje dheu në brendësi të vendit.

Të dhënat e “Beryl”-it

“Beryl” ka vendosur tashmë disa rekorde dhe ka lënë pa fjalë meteorologët amerikanë. Nuk ka pasur kurrë një stuhi të kategorisë 5 me erëra 270 km/h kaq herët në sezon, rekordi i përkiste “Emily” që arriti kategorinë 5 më 17 korrik 2005.

Fakti që ndodhi kaq herët, është për shkak të Oqeanit Atlantiku prej 421 ditësh radhazi me temperatura të pa regjistruara, të cilat zakonisht arrihen në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit, por jo në fund të qershorit.

Ai gjithashtu shkoi nga kategoria 1 në 5 në më pak se dhjetë orë, gjë që nuk ka ndodhur kurrë kaq herët në sezonin e uraganëve në Atlantik.

Është uragani më i fortë me trajektoren më jugore (12,5° në veri) dhe ai që u formua më në lindje, praktikisht përballë bregut të Afrikës në 49,3° gjerësinë gjeografike perëndimore, duke thyer rekordin e mëparshëm të uraganit të Trinidadit të vitit 1933 (58,9° W).

Nëse ky është fillimi i sezonit të uraganëve, meteorologët janë shumë të shqetësuar për muajt e ardhshëm.

Megjithatë, ata kishin raportuar tashmë në javët e mëparshme se 2024 mund të bëhet viti me numrin më të madh dhe më të fuqishëm të uraganeve ndonjëherë.

Shtatë viktimat, zv/presidentja e Venezuelës u plagos

“Beryl” ka shkaktuar tashmë të paktën shtatë vdekje. Në Venezuelë, dy burra dhe një grua vdiqën pas përmbytjes së lumit Manzanares, në shtetin verilindor të Sucre.

Zëvendëspresidentja Delcys Rodriguez, e cila mbërriti në zonë për të koordinuar reagimet e emergjencës, u plagos kur një pemë papaja ra mbi makinën e saj.

Ajo u dërgua në spital në kushtet e cilësuara si “të rënda”, por nuk ishte në rrezik për jetën. Lajmi u konfirmua nga presidenti Nicolas Maduro në TV.  Të paktën tre viktima u regjistruan në ishullin e Grenadës dhe një në Saint Vincent dhe Grenadines.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë