Kosova

Ura mbi Ibër që ndan Mitrovicën, çfarë ka ndodhur që pas luftës së vitit 1999 e deri më sot

Ura kryesore mbi lumin Ibër që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.

Shqiptarët në Mitrovicë të Jugut dhe serbët në Mitrovicë të Veriut janë të ndarë nëse ura duhet të hapet.

Për shqiptarët, hapja e urës do të ishte “gjë e mençur”, ndërsa për serbët vendim që rrit tensionet.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – u shpreh më herët kundër hapjes së urës mbi Ibër.

Sipas saj, një veprim i tillë synon “destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

Kronologjia e zhvillimeve rreth urës nga viti 1999 deri sot

Pas luftës së viteve 1998/’99, kjo urë e ndau qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe në atë veriore me shumicë serbe.

• Plani i Ahtisaarit – baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 – parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna të veçanta.

• Më 2011, serbët lokalë vendosën aty barrikadat e para, për të kundërshtuar shtrirjen e autoriteteve të Kosovës.

Më 2013 u formua Komuna e Mitrovicës së Veriut, sipas ligjeve të Kosovës.

• Më 2014, barrikadat u zëvendësuan me copa betoni dhe me pemë. Pamja e re u quajt “Parku i Paqes. Po atë vit, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në Bruksel për heqjen e barrikadave dhe për rivitalizimin e urës.

• Më 2015 u hoq Parku i Paqes, me idenë e hapjes së urës për qarkullim.

• Më 2016, palët në Bruksel u pajtuan për një plan zbatimi të marrëveshjes për urën.

• Rivitalizimi i urës u përfundua nga Bashkimi Evropian më 2018 dhe kushtoi rreth 1.5 milion euro.

Aktualisht, ura mbetet e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë