Gazeta Si – Kreu i SPAK Altin Dumani tha se autoritetet shqiptare dhe italiane kanë goditur një nga grupet më të fuqishme kriminale në fushën e trafikut ndërkombëtar të drogës.
Dumani i bëri këto komente pas operacionit të koduar “Ura” në një konferencë shtypi për mediat këtë të mërkurë me kryeprokurorin e Barit, Drejtorin e Antimafies italiane dhe zyrtarë të tjerë të policisë nga të dyja vendet. Dumani theksoi se ky grup merrej kryesisht me trafikimin e drogave të forta dhe pastrimin e parave.

“Ky operacion, është dëshmi e qartë e asaj që mund të arrihet kur institucionet e drejtësisë dhe strukturat e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë me përkushtim. Një falenderim të veçantë për Eurojust dhe Europol për mbështetjen gjatë hetimeve të kryera, me Prokurorinë e Barit”, tha Dumani. Në kuadër të këtij operacioni, janë lëshuar 52 urdhër-arreste në Shqipëri e Itali.
Gjatë konferencës së përbashkët me kreun e SPAK, kryeprokurori i Barit, Roberto Rossi deklaroi se bashkëpunimi efikas mes dy vendeve dha rezultate tejet të mira, referuar operacionit më të fundit.
Rossi lartësoi punën SPAK në goditjen e krimit, ndërsa theksoi se mafia shqiptare është një “forcë e madhe ndërkombëtare” që duhet luftuar.

“Kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë prej 10 vjetësh për arritjen e objektivave të përbashkëta për të luftuar krimin në Shqipëri apo Itali. Jemi të ndërgjegjshëm që autoritetet e hetimit shqiptar e në veçanti SPAK janë shumë të afta për kapjen e veprave, bashkë me ne. Kjo forcë e përbashkët është shumë e rëndësishme! Për fat të keq, mafia shqiptare është forcë ndërkombëtare shumë e madhe, por jemi të sigurt që populli shqiptar me anë të Prokurorisë e Gjykatave shqiptare do jetë në gjendje ta luftojë këtë tumor. Pikërisht përmes bashkëpunimit, jemi të sinkronizuar”, – deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.