Sociale

Universitet: Informatika dhe Ekonomia më të përzgjedhurat

Universiteti i Tiranës ka përfunduar fazën e parë të regjistrimeve, duke plotësuar rreth 64% e kuotave! Është ruajtur i njëjti trend në kërkesa për të studiuar në degët Informatikë Ekonomike, Informatikë, Financë, Drejtësi, Teknologji Informacioni, Gjuhë Angleze, Gjuhë Gjermane etj, ndërsa ka një rritje modeste të aplikimeve sivjet.
“Për 5,133 vende, këtë vit akademik kanë aplikuar 58,472 maturantë dhe në fazën e parë janë përmbushur 64% e kuotave. Ka vazhduar e njëjta tendencë edhe si vitin e kaluar, lidhur me preferencat", shpjegoi rektori Artan Hoxha. Sipas tij, vijon interesi i ulët për degët Kimi, Fizikë, Filozofi dhe disa gjuhë të huaja si gjuha Ruse apo gjuha Greke, që edhe këtë vit nuk do të hapen për mungesë të studentëve.
Hoxha theksoi se për degët e mësuesisë, janë forcuar kriteret e pranimit nga qeveria, si përpjekje për të rritur nivelin profesional të mësuesve. Por ndërkohë, ky profesion do të duhet të shikohet më me interes për shkak të politikave stimuluese në rritjen e pagave.
Rektori shtoi se po punohet për të krijuar një komunikim më intensiv mes Universitetit të Tiranës dhe universiteteve të huaja për të krijuar më shumë mundësi shkëmbimi për profesoratin dhe studentët që duan të kryejnë një pjesë të studimeve në universitete jashtë vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë