E ardhmja e Paul Pogba tek Manchester United është në dyshim. Kontrata e francezit me Red Devils skadon në 2022 sepse United ka ushtruar opsionin e shtyrjes me një vit, por prej muajsh tashmë flitet për një lamtumirë të mundshme të mesfushorit dhe ai që i hedh benzinë zjarrit, si zakonisht është menaxheri Mino Raiola (“Të shohim çfarë do të ndodhë në verë”). Loja për të marrë Pogba ka nisur dhe Juventus është gati të bëjë gjithcka për të rikthyer në Torino francezin, por Solskjaer nuk ka ndërmend të lëshojë e po përpiqet ta bindë: “Shpresoj që të fitojë këtu e që Paul të mund të qëndrojë” ka thënë tekniku i Red Devils në një intervistë për mikrofonat e ESPN.
“Nëse kam shpresë që Pogba të dojë të bëjë pjesë në projektin United në të ardhmen? Këtu tek Manchester United kërkohen gjithnjë trofe. Sa më shumë trofe fitojmë, më shumë lojtarë do të duan të luajnë për ne këtu e pastaj duhet ngritur steka – ka shpjeguar Solskjaer – Pogba dëshiron këtë. Paul është këtu prej ca kohësh e natyrisht kërkon të fitojë diçka. Shpresoj ta bëjë. Ka një sjellje shumë, shumë pozitive në stërvitje. Adhuron futbollin, është ambicioz, dëshiron suksesin më shumë se kushdo në skuadër. Na takon ne të fitojmë trofetë e kjo mund ta bëjë të qëndrojë”.
Fjalë që mund të komplikojnë planet e Juventus, që sipas asaj që bën të ditur ESPN ndonjë ditë më parë, është gati të ofrojë Dybala e Bernardeschi për të arritur tek francezi, por ashtu si tha Raiola “të shohim çfarë do të ndodhë në verë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




