Shendet

UNICEF: Rastet e fruthit u rritën gati 80% si pasojë e Covid-19

Rastet e fruthit janë rritur gati 80% në mbarë botën këtë vit mes përhapjes së Covid-19, ka thënë Unicef.
Ekspertët kanë paralajmëruar se rritja e sëmundjes do të nxisë edhe shpërthime të sëmundjeve të tjera.

Pandemia e koronavirusit ka ndërprerë fushatat e vaksinimit për sëmundjet e tjera në të gjithë botën.
Unicef ka deklaruar se kjo gjendje kërcënon shëndetin e fëmijëve në mbarë botën.

Fruthi është një sëmundje e shkaktuar nga një virus që prek kryesisht fëmijët. Komplikimet më serioze përfshijnë verbërinë, ënjtjen e trurit, diarrenë dhe infeksionet e rënda të frymëmarrjes.

Unicef shpjegon se vaksinimi prej të paktën 95% të popullatës, është mënyra më e mirë për të shmangur përhapjen e sëmundjes.
Në nivel global, Unicef ka raportuar më shumë se 17,300 raste të fruthit.

Fëmijë me fruth


Christopher Gregory, këshilltar i lartë shëndetësor në seksionin e imunizimit të Unicef-it, ka thënë se për shkak se fruthi ishte sëmundje e parandalueshme nga vaksina, shërben si një shenjë paralajmëruese.
“Fruthi është ajo që ne e quajmë gjurmues, që na tregon me të vërtetë se ku janë ato dobësi në sistemin e imunizimit,” tha ai.

Sipas tij ethet e verdha ishin ndër sëmundjet që mund të rriteshin më pas.
“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për ato vende që janë më të brishta. Në vendet ku sistemet e kujdesit po merren me Covid-19”, tha ai.

Ekziston gjithashtu frika se lufta në Ukrainë mund të rikthejë një sërë sëmundjesh infektive në vend.
Agjencitë e OKB-së thanë se 57 fushata vaksinimi në 43 vende të shtyra në fillim të pandemisë nuk ishin përfunduar ende, duke prekur 203 milionë fëmijë.

Covid-19 gjithashtu vazhdon të grumbullojë presion mbi objektet e kujdesit shëndetësor.
“Ndikimi i këtyre ndërprerjeve në shërbimet e imunizimit do të ndihet për dekadat në vijim”, tha në një deklaratë shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.


Sipas tij, tani është momenti për të rikthyer në rrugën e duhur imunizimin thelbësor. Ai shton se duhen fushata të reja, në mënyrë që të gjithë të kenë akses në këto vaksina.
Burimi: The Guardian/ Përshtati në shqip Gazeta “Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë