Financa Personale

UNICEF: Mbi 35 mijë shqiptarë do të futen në varfëri nga lufta në Ukrainë, mes tyre dhe 9 mijë fëmijë

Nga Gazeta ‘SI’ UNICEF ka parashikuar se 35.413 shqiptarë do të futen në varfëri ndikuar nga kriza momentale, 9.061 prej të cilëve janë fëmijë.

Sipas peshës në popullsinë totale, 1.5% e fëmijëve do të futen në varfër dhe 1.2% e të rriturve. Kjo është shifra e dytë më e lartë në rajon, pas Kosovës, ku është parashikuar të futen në varfëri 3.7% e fëmijëve dhe 2.1% e të rriturve.

Në Serbi, listës së të varfërve, pritet t’i shtohen 28 mijë persona, në Bosnjë 17 mijë, në Maqedoninë e Veriut 5.5 mijë, në Mal të Zi, 913.

Nga kriza dhe efektet zinxhir të saj, UNICEF parashikon se vdekshmëria tek foshnjat do të rritet me 0.08% dhe fëmijët do të humbasim 743 vite shkollë.

Raporti i UNICEF tregon se rajoni i Europës Qendrore pati një zinxhir goditjesh që sollën rritje të numrit të të varfërve. Kriza globale financiare 2008, aneksimi i Krimesë në 2014, zhvlerësimi i rublës në 2015 dhe pandemia Covid-19 në 2020, dëmtuan tregjet dhe zinxhirët e furnizimit, ulën remitancat dhe ndikuan në rënien ekonomike.  

10.4 milionë njerëz në total do të futen në varfëri në rajonin e Europës Qendrore, 4 mln nga të cilët janë fëmijë nën 18 vjeç dhe ¾ nga Rusia.

Rritja e varfërisë tek fëmijët është 19% më e lartë se ajo që ishte parashikuar nëse nuk do të kishte luftë. Në total, do të humbasin 117 mijë vite shkollimi, 2 mijë fëmijë do të mungojnë nëpër shkolla këtë vit.

Vdekshmëria tek foshnjat do të shkojë në 8 për 100.000 lindje.

Më herët gjatë korrikut, OKB në një tjetër raport tha se në Shqipëri, 90 mijë qytetarë rrezikojnë të kalojnë në kufirin e varfërisë, për shkak të krizës së çmimeve që preku sektorin e hidrokarbureve dhe produktet ushqimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë