Shendet

Unë nuk jam një “luftëtar” pse i mbijetova kancerit

"Unë nuk jam një “luftëtar” pse i mbijetova limfomës Hodgkin në moshën 19-vjeçare. Unë thjesht jam një me fat mes të pafatëve".
Përballë sëmundjeve serioze, veçanërisht kancerit, ne menjëherë i shpallim pacientët si “luftëtarë” ose flasim për “fitore” ose “humbje” të betejës kundër sëmundjes. Këtë terminologji e hasim në titujt e lajmeve si dhe në fushata të ndryshme bamirësie; flitet nga politikanë, të famshëm dhe njohës të sëmundjeve të tilla. Secili person ka të drejtë të përshkruajë përvojën e tij të sëmundjes, siç e gjykon të përshtatshme, por shpesh duket e pamundur të shmangin terma të tillë si “sulm”, “pushtim” dhe “luftë”, të cilat janë aq të rrënjosura në kulturën e kancerit.
Për mua, një gjuhë e tillë ishte një mënyrë që njerëzit përreth meje të shmangnin realitetet komplekse që shoqëronin diagnozën time. Ai fjalor më bëri të guximshëm dhe heroik kur u ndjeva më i dobët dhe i pafuqishëm. Unë kam qenë i bindur që do t'i zhgënjeja të gjithë.
Kur u mësua diagnoza ime, komuniteti përreth harruan që isha i njëjti person. Të gjithë u përqendruan te sëmundja dhe kjo shihej në mënyrën se si më flisnin. Ata përpiqeshin të më ngushëllonin dhe inkurajonin. Një mik i familjes më rrëfente: “Unë jam afër një gruaje që ka pasur rritje të gjirit dhe ka punuar me kohë të plotë gjatë trajtimit, ajo as nuk ka humbur flokët”.
“Në pak ditë, unë kisha lënë kolegjin dhe isha transferuar në shtëpi për të marrë kimioterapi me kohë të plotë; më ranë qerpikët dhe vetullat. Nuk mund të vazhdoja jetën normalisht deri në këto çudira të kancerit”, rrëfen i riu amerikan.
Por unë bëra çmos për të mbledhur energjitë dhe për t’u përballur. U përpoqa të fsheh mizoritë e jetës sime të përditshme.
Me gjithë përpjekjet e mia më të mira, prania ime themelore, një kujtesë në këmbë e vdekjes, mund të errësonte gjendjen shpirtërore në dhomë. Njerëzit donin që unë të isha fytyra e kancerit - optimist dhe vetëm optimist, me gjithë vuajtjet e mia - ndërsa limfoma vepronte si një tornado në jetën time, duke “copëtuar” gjithë normalitetin.
Në sytë e të tjerëve, diagnoza ime më kishte vendosur në rrugën e duhur për shenjtëri, por brenda, unë isha një adoleshent i mbushur me ankth, duke u ndier i identifikuar dhe i keqkuptuar. Nuk mund ta shpreh se si ndikoi fjalori i të tjerëve. Në fund, babai im duhej të vepronte si kujdestar, duke u thënë miqësisht miqve se nuk isha gati për vizitorë. Izolimi im në rritje zgjati edhe rrugën për rikuperim.
Kur një pacient tjetër vdiq, njerëzit më thoshin: “Ai e humbi betejën e tij, por ti do të fitosh tënden”. Ata menduan se kjo metaforë do të më ngrinte moralin. Por implikimi që dikush tjetër vdiq sepse ata kishin dështuar disi, ose nuk kishin qenë aq këmbëngulës për të mbijetuar, bënin më shumë presion mbi shëndetin tim.
Lufta e vetme në jetën time ishte ajo mes mjekëve dhe limfomës sime. Onkologët e mi urdhëruan kimio, e cila vrapoi nëpër venat e mia për të luftuar tumorin që rritej në zemër dhe mushkëri. Unë isha një trup i mbërthyer në mes.
Pasi mbaruan kimioterapitë, prindërit e mi organizuan një darkë, duke i ftuar miqtë e familjes që na përgatitën ushqim të përjavshëm. Unë u fajësova për frikën e vazhdueshme të familjes sime dhe netët pa gjumë. Secili më uronte “Ti e fitove betejën”, por një shprehje e tillë mua thjesht më kujtonte atë që vërtet do të kisha fituar në mënyrë private: stresin post-traumatik, agorafobinë dhe varësinë ndaj morfinës. Nuk u ndjeva fitimtar. Tani, unë duhej ta përgatisja jetën time, të tronditur nga faji për arsyen që kisha jetuar, ndërsa të tjerët - për të cilët isha i sigurt se do të mbijetonin, - nuk e kishin bërë një gjë të tillë.
Megjithatë, përkundër kësaj përvoje, kur mësova se mikja ime ishte diagnostikuar me leucemi, u ktheva në gjuhën eufemiste që kisha hedhur poshtë.
Nxitova menjëherë për në spital për të kaluar kohën me të. Morali i saj ishte i ulët; ajo ishte e zemëruar për mungesën e lirisë. Më tej, ajo më pyeti nëse njihja ndonjë me këtë sëmundje. Thashë ‘po’ dhe pastaj u mbylla. Nuk doja të tregoja se ai kishte vdekur.
Duke lexuar mimikën time, mikja ime më tha: “Aleks, unë e di se njerëzit vdesin nga sëmundja që kam unë. Mund ta themi me zë të lartë. “Edhe si një i mbijetuar, unë kisha rënë në skemën e përpjekjes për ta mbrojtur atë, përmes gjuhës, nga rreziqet tashmë të pranishme në trupin e saj. Që nga ai moment kishim njëfarë mirëkuptimi.
Ajo që të dy kemi dashur më shumë gjatë trajtimit: ne nuk donim që njerëzit të na mbanin si luftëtarë të guximshëm; ne donim që ata ta përjetonin sikletin bashkë me ne. Të sëmurët dhe të shëndetshmit janë në të njëjtën anë, të gjithë të frikësuar nga e njëjta sëmundje. Por, destruktiviteti i kancerit nuk mund të mbulohet nga klishetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë