Politike

‘Unë erdha, ju e dini vetë’. Sali Berisha mban fjalimin e parë në Parlament: Do të jetë rikthimi im i tretë. Udhëheq PD-në drejt fitores

Nga Gazeta ‘Si’- Sali Berisha, në fjalimin e tij të parë në Parlament që pas heqjes së masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj tij, deklaroi se është kthyer “për të udhëhequr opozitën drejt fitores”.

Berisha ka thumbuar maxhorancën duke thënë se “po mbaheni me shpirt ndër dhëmb”, ndërsa nuk ka kursyer as kryeministrin Edi Rama, për të cilin tha se 11 muaj më parë “mendoi se realizoi ëndrrën e tij, që të mos shihte më në këtë sallë Sali Berishën.”

Më tej Berisha iu drejtua deputetëve të mazhorancës duke iu thënë se votuan për t’i mohuar të drejtën e fjalës “sepse fjala ime tmerronte narkodiktatorin dhe shumë prej jush, votuat duke mbushur parlamentin me gardistë, me mendimin se kjo do ishte dita e fundit e Berishës në Kuvend”.

“Po mbaheni me shpirt ndër dhëmbë. Unë erdha, ju e dini vetë. E shoh çehren që ju ka rënë.

Edi Rama mendoi se e realizoi ëndrrën e tij që të mos shihte më në këtë sallë Sali Berishën. I bëtë llogaritë gabim sepse nuk ishte viti 1946. Është e vërtetë se ju kishit mbështetjen e atyre që ishin larguar nga parimet e mëdha të lirisë së kombit amerikan dhe ndiqnin agjendën e George Sorosit, këtij armiku të egër të kombit amerikan. Pra, ju në 21 dhjetor votuat për të kompletuar grushtin e shtetit ndaj opozitës shqiptare. Por, sot, ja ku jam. Vij këtu për të udhëhequr opozitën drejt fitores”, tha Berisha.

Ai e konsideroi mazhorancën të dështuar dhe tha se buxheti është i pamjaftueshëm.

“Sot jeni të dështuar, sot ju përfaqësoni ata që vrasin 14 vjeçarin dhe nuk mbani një minutë heshtje për shpirtin e tij të pafajshëm. Përfaqësoni oficerin e paguar si snajper për të ekzekutuar biznesmenin. Rrogat tuaja janë të barabarta me 50, 70  pensione. E kuptoni ku keni arritur? Reagimi juaj si kope ‘o burra të shpëtojmë’ për të votuar, por nuk shpëtoni dot.

Si sillni një buxhet, për 800 mijë njerëz që marrin një pension sa çmerr gjermani për qenin e shtëpisë. Si mundet? Jeni të dështuar. A e kuptoni se të sëmurët në spitali vdesin nga mungesa e ilaçeve? A e kuptoni ju se Shqipëria është vendi më i pasur në rajon, kurse pensionistët janë njerëzit më të përçmuar, përbuzur dhe të mjeruar të rajonit dhe botës?

Si mund të miratohet ky buxhet? Kush mund ta bëjë këtë? Vetëm ata që kanë tmerr nga njerëzit. Jeni çeta e Edi Ramës. 8.2 miliardë euro, si mund të votoni këtë buxhet dhe mos të rrisni pensionet?”, tha Berisha ndërsa shtoi se ky do të jetë rikthimi i tij i tretë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë