Nëse bizneset do t’i vendosim në kushtet “ose njërën ose tjetrën” mes rritjes ekonomike e cila përfaqëson përftimin afatgjatë dhe uljes së taksave, me efekt të shkurtër, shumica dërrmuese zgjedhin taksat.
Megjithëse situata e krijuara enkas nga gazeta “Si” që i pyet bizneset, është në kushte laboratorike, ka një shpejgim real dhe logjik. Biznesi pak beson tek strategjitë dhe planet afagjatë dhe për shkak të përvojës së kaluar i çertifikon premtime të tilla si demagogji dhe propagandë politike, në të gjitha raset pavarësisht se nga cili krah vijnë .
Këtë lloj situate në zgrip dhe të pashpresë e konfirmon edhe Banka e Shqiëprisë, e cila nga vrojtimi periodik i treguesit të ndjesisë ekonomike (TNE) edhe për tremujorin e tretë tregoi se në gjithë rritjen me 23.0 , vlera e TNE-së prej rreth 75.3 qëndron nën mesataren afatgjatë .
Ky tregues pasqyron si përkeqësimin e besimit të bizneseve, më në veçanti në sektorin e shërbimeve, ashtu edhe besimin e konsumatorëve.
Gazeta “Si” pyeti drejtues të shoqatave të ndryshme të biznesit nëse në një kontekst të tillë krize, çfarë do të preferonin më shumë; ulje taksash, apo rritje ekonomike?
Nikolin Jaka i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Jaka mendon se ulja e taksave nuk shkon në proporcion me rritjen ekonomike.
“Biznesi në këtë stad kërkon më shumë hapësira për tregje, lehtësi dhe mbështetje për investime, masa kundër informalietit dhe financime për të nxitur inovacionin dhe konkurueshmërinë. Në vazhdim, shumë të rëndësishme janë incentivat në rritjen e prodhimit, transferimin e teknologjive, nxitjen e eksporteve etj, që janë treguesit kryesor që çojnë në ritjen ekonomike”- thotë Jaka.
Kurse kreu i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku thotë se të dy variablat nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Sidomos, mendon ai, në kushtet e Shqipërisë, ulja e taksave jep shpresa për rritje. Kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm, natyrisht. Pasi janë politikat që nxitin rritjen ekonomike ato që japiun garanci!
Duke menduar “se thika iu ka shkuar në eshtër” dhe duke patur një mosbesim të tejskajshëm në politikbërësit, disa syresh prej tyre mendojnë se rritja ekonomike ju duket një rrugëtim që mbetet tek kastat që nuk kanë vullnet ta bëjnë këtë vend, prandaj, ata preferojnë të mendojnë më afër duke dashur ulje taksash.
Enri Jahaj, kreu i shoqatës së Bar- Restoranteve shprehet se “Ne duam rritje taksash. Kemi nevojë në këtë situatë për të mbijetuar; të qarkullojmë dhe të investojmë e riinvestojmë. Jemi në një pikë që besimi në ekonominë e bërë deri tani na ka humbur plotësisht. Kështu që domosdoshmëria dhe nevoja jonë është ulja e taksave. Nuk kemi kohë të presim”.
Edvin Prençe nga Pro Export Albania duke e konsideruar abstrakte pyetjen, përgjigjet se “Më duket pak abstrakte kjo pyetje pasi rritja ekonomike pa një ndërhyrje të mirëfilltë; në ulje taksash, formimin profesional të punëmarrësve, mbështetje ekonomike me grante dhe kredi të buta për investime dhe diversifikim të prodhimit, mbështetje logjistike/ekonomike nga shteti në Panaire virtuale dhe reale (mbas përfundimit te pandemisë), për takimet B2B me bizneset e sektorit në vendet Europiane, pa këto parakushte për një mbështetje reale, jo vetëm që rritje nuk do kemi, por do të shohim me sytë tanë mbylljen zinxhir të të vetmit sektor të rëndësishëm të vendit, për numër punonjësish të punësuar dhe që zë % më të lartë të sektorit më eksportues të vendit.”
Albert Nasto thotë se të dy variablat janë të lidhur ngushtësisht me njëri-tjetri.
“Ne i duam paralelisht. Rritja ekonomike i shërben konsumit. Ula e taksave është e domosdoshme në këto kohë ku bizneset janë në zgrip; të vdesin apo të marrin frymë. Ajo që do të donim është përgjysmimi i taksave lokale, heqja e taksave të fshehura, heqja e gjobave, minimizimi i korrupsionit që të ketë klimë pozitive për të investuar. Në një kohë kur korrupsioni është rritur me hapa galopantë, prodhimi ka rënë me 10% , konsumi me më shumë se 50% ne kemi nevoja emergjente që më pas sjellin rritjen ekonomike që do kohë.”- thotë Nasto.
Të dhënat e INSTAT pak ditë më parë treguan një tkurrje të thellë ekonomike prej 10,23 % në tremujorin e dytë të vitit në terma vjetorë.
Përpos bujqësisë dhe pasurive të paluajtshme të gjithë sektorët e ekonomisë kanë patur rritje negative.
Në këtë kontekst bizneset nuk bëjnë parashikime optimiste, veçanërisht për vitin ku ndodhemi, por ata theksojnë se nëse nuk ka një plan afatgjatë rimëkëmbje, “nuk kemi shpresa për përmirësime të dukshme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.