Analize

Ulja e pagave dhe pensioneve? Tjetërkush duhet të paguajë

Deputeti socialist, Ilir Beqaj, hodhi në hyrje të kësaj jave ide të guximshme: për të  zvogëluar pagat e  punonjësve të administratës me 10 për qind, për t’i zbritur deri në 70 për qind  përkohësisht pensionet suplementare dhe për t’i detyruar bizneset të krijojnë një fond garancie nga burimet e veta për të paktën një periudhë tremujore për raste si kjo e pandemisë së Covid-19.

Për sa kohë jetojmë në kohë të tilla ku shumë gjëra normale tani duken anormale dhe kur bota do të ndryshojë shumë gjëra nga më parë, ku në mungesë të përgjigjeve shkencore për të kuruar virusin, teoritë konspirative tingëllojnë te disa si të vërteta, ka hapësira edhe për ide të tilla si të zotit Beqaj që ofrohen si një opsion për të lehtësuar krizën ekonomike.

Ai vetë e shtron këtë ide si temë diskutimi pa përfshirje politike kur thotë se janë ide dhe që çdokush mund të bëhet pjesë e një debati pa shumë protokolle e nisma zyrtare.

Nëse do të ishte kaq e thjeshtë, zoti Beqaj do të merrte një përgjigje të thjeshtë e të prerë pa shumë shpjegime: Jo duhet gjetur një rrugë tjetër që nuk i prek të ardhurat bazike të qytetarëve.

Mirëpo, zoti Beqaj nuk mund të zhvishet dot edhe nga kostumi i asaj që  përfaqëson edhe sikur të dojë. Në mos ideatori, ai është dizenjuesi i  programit ekonomik të Rilindjes në mandatin e saj të parë. Ishte ai që frymëzoi dhe krijoi profilin e ri të qeverisë së socialistëve me modelin e koncesioneve kur ishte ministër i Shëndetësisë, që më pas u bënë shtylla kurrizore e qeverisjes së mëpastajme edhe në madatin e dytë me PPP-të e famshme.

Ilir Beqaj ne parlament ne kohen kur ishte minister i Shndetesise

Sa herë qeveritë kërkojnë të shfajësohen për rezultate të dobëta dhe të zbusin kostot e veprimeve të tyre të gabuara krijojnë alibi dhe gjejnë fajtorë diku tjetër (Trump iu tregoi amerikanëve ufot për të spostuar vëmendjen nga paniku i krijuar). Socialistët e njohin këtë stil po aq të vjetër sa politika që disa raste e kanë përdorur me aq zell sa ka tingëlluar butaforike. P.sh i tillë ishte rasti i Artan Lames, kryetarit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që përdori shfajësim fëminor për pakënaqësitë e krijuara me vonesat dhe korrupsionin në dhënien e titujeve të pronësisë kur tha se po e pengojnë të bëjnë detyrën njerëz brenda pushtetit, madje edhe brenda familjes së tij biologjike.

Është stil i njohur ky tanimë kur del dikush nga mazhoranca që i paraprin një vendimi të ardhshëm të qeverisë për të testuar publikun dhe mbjell në mirëkuptim farën e shfajësimit si një opsion alternativ.

Shqetësimi ynë nuk është teza e zoti Beqaj, por dyshimi se ai po i hap publikisht rrugën një vendimi të ardhshëm, ndoshta shumë shpejt, të qeverisë për shkurtim të pagave dhe pensioneve pa një bazë të gjerë argumentesh dhe mirëkuptimi. Nëse ky dyshim nis e vërtetohet, kjo nuk duhet të ishte rruga e duhur sepse së pari nëse duhet bërë kjo sakrificë, vendimi nuk i takon qeverisë, por shoqërisë, e cila ka nevojë të dëgjojë më shumë dhe zëra për përfaqësues sesa vetëm Ilir Beqajn.

Nuk po i hyjmë me detaje teknike çdo argumenti kundër këtij propozimi sepse kërkon ta ngjis këtë mendim në opinion përmes një rruge që nisi që në fillim gabim:

Teza e ngritur bën ndarje me thikë të dy buxheteve: ku buxheti i shtetit është i qeverisë dhe pagat apo pensionet janë buxhetet e qytetarëve. E meqë socialisti Beqaj ka si filozofi të tij këtë tezë “që këtë krizë duhet ta përballojmë të gjithë”, kuptohet që tani radhën e kanë qytetarët.

Buxheti i shtetit është kontributi më i madh i shqiptarëve e nuk mund t’ju mohohet kështu kaq thjesht. Nëse sot dikush duhet të paguajë, janë ata që fshehin të ardhurat dhe e vjedhin këtë buxhet përmes tenderave, marrëdhënieve klienteliste, aferave të përfitimit nga pushteti. Nëse sot buxheti i shtetit nuk ka para mjaftueshëm, nuk është për faj të qytarëve, por të korruptuarve dhe atyre që e kanë keqdministruar. Janë pikërisht këta që u kanë hyrë në borxh shqiptarëve, të cilët kontribuojnë me taksa për buxhetin, por nuk mund tua marrin plotësisht mbrapsht me më shumë investime, shërbime dhe të mira publike. 

Nje lypes i ulur ne trotuar teksa njerezit kalojne perreth me maska e doreza,

Propozimi i merr kohën e vyer padrejtësisht një tjetër diskutimi. Sot  përpjekja sfiduese është si të mundim të mos i lëmë shqiptarët të mos bien në zgrip të varfërisë dhe si të kenë mundësi të mund të sigurojnë të ardhura përmes punës. Diskutimi që sot duhet të gëlonte, por që fatkeqësisht nuk e shohim kaq të gjallë është si të nxisim ekonominë dhe përfitimet prej saj, dhe jo e kundërta si të ulim të ardhurat… sepse ajo tashmë ka ndodhur. Pra, jo shkurtime po stimuj dhe hapësira të reja për më shumë punë.

Nëse gjykohet se nga shkurtimi i pagave të sektorit publik mund të krijohen fonde shtesë nga kursimi nuk është faji i të punësuarve aty, por i punësimeve pa meritë. Nga ana tjetër, sot paga mesatare bruto e një të punësuri në sektorin publik është 61 mijë lekë dhe kjo është një nga arsyet se pse administrata nuk thith dot brenda vetes individë të talentuar dhe ekspertë. Formularët e punësimit në administratë janë të mbushur me kritere të forta që do t’i kishte zili çdokush: me gjuhë të huaja, me njohuri dhe edukim ekstra, përvojë pune të spikatur, përvojë në administratë. Asnjë mendje njerëzore nuk bëhet kaq irracional sa të ofrojë gjithçka kundrejt një të ardhure kaq të ulët kur tregu ofron më shumë mundësi. Ndaj sot sektori publik ka mbetur nën mesataren e  shoqërisë dhe ideja se pushteti mund të përdorë autoritetin e tij të padiskutueshëm për të shkurtuar pagat, do ta zgërlaqte më keq këtë sektor.

Por, ja le të themi se asnjë nga arsyet që thamë më lart nuk qëndron. Atëherë kujt do t’ia zvogëlojmë pagën dhe pensionet: mësuesve dhe ish-mësuesve, punonjësve të shëndetit mjekësor, faturistëve, punonjësve të ujësjellësit, ushtarakëve, policëve ? Borxhi sakaq është i madh ndaj tyre. Po dhe nëse kjo ndodh, kujt do t’ia çojmë paratë? Dhjami nga pleshti nuk nxirret e as nuk përdoret.

Teza e shkurtimit të pagave dhe pensioneve dhe ngrirja e një pjese të likuiditetit të biznesit si fond garancie do të duhej të ishte sakrifica e fundit për jetë a vdekje në këtë luftë pasi të jenë shterur të gjitha mjetet e tjera. Apo kemi ardhur në këtë pikë?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë