Sipas të dhënave të Instat për dy muajt e parë të vitit, në vend kanë hyrë 395 mijë shtetas të huaj, me një rritje prej 15% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur vendi kishte lehtësuar kufizimet e pandemisë. Por në krahasim me 2 mujorin 2019, që deri tani ka qenë viti më i mirë i turizmit, hyrjet janë 5% më të ulëta.
Këtë herë edhe hyrjet nga Kosova që janë gjithmonë në shifra të larta, kanë pësuar rënie. Për 2 mujorin 2021, hyrjet e tyre ishin 21% më të ulëta se në janar-shkurt 2021 dhe pothuajse në të njëjtin nivel me periudhën e para pandemisë. Kjo mund të jetë pasojë e vendimit të qeverisë në Kosovë për të vendosur kriter vaksinat dhe testin e Covid për të hyrë në territoret e saj.
Rënia e turistëve nga Kosova duket të jetë “zëvëndësuar” nga ata nga Greqia dhe Italia që u rritën me 332% dhe 123% respektivisht. Hyrjet nga Italia ishin 20% më të larta edhe në raport me periudhën e para-pandemisë, ndërsa nga Greqia mbeten 34% më të ulëta.
Hyrjet e shtetasve nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që zënë përkatësisht vendin e dytë dhe të tretë pas Kosovës ishin pothuajse në të njëjtat nivele të një vit më parë.
Sipas INSTAT, Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Shkurt 2022, janë 458.951, nga të cilët 200.997 janë të huaj.
Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Shkurt 2022, janë 493.899 duke shënuar një rritje me 32.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Shkurt 2022 janë 293.703.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.