Drejtësia

Ulet numri i dosjeve stok në Gjykatën e Lartë, Sadushi: Problem mbeten rekurset

Gazeta Si – Në bilancin e vitit 2022, Gjykata e Lartë ka pranuar se numri i çështjeve të prpambetura është ulur ndjeshëm, ndonëse rekurset mbeten një problem.

Kjo për shkak se shumë institucione po tërheqin rekurset ndaj qytetarëve, ku institucioni që ka tërhequr më shumë është ai i Sigurimeve Shoqërore.

Zëvendës kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi me anë të një komunikimi për mediat, ka bërë një bilanc vjetor të punës së zhvilluar në këtë institucion gjatë vitit që po lëmë pas.

Sipas tij, nga marsi i vitit 2020 deri më sot numri i çështjeve të prapambetura është ulur në 29.010.

“Prej 3 vitesh fokusi i opinionit publik ka qenë tek ulja e numrit tepër të lartë të lartë të çështjeve të prapambetura. Kjo ishte dhe vijon të mbetet një prej sfidave kryesore të trupës së gjyqtarëve. Nga 36 mijë çështje që prisnin për t’u gjykuar në mars të vitit 2020, sot numri i çështjeve të prapambetura është ulur në 29.010. Numri i vendimeve të marra për këtë periudhë është 11.764. Raporti ndërmjet çështjeve të regjistruara në Gjykatën e Lartë dhe vendimeve të marra prej saj është në favor të këtyre të fundit. Për vitin 2022 janë regjistruar rreth 2 082 çështje të reja. Janë dhënë 6 179 vendime gjyqësore, ose 412 vendime për gjyqtar”, u shpreh Sadushi.

Sipas tij, viti 2022 për Gjykatën e Lartë mund të cilësohet si “viti i krijimit të besimit se gjyqësori i ringritur po funksion”.

Sadushi theksoi se reformimi i drejtësisë ia vlejti dhe është e dukshme që drejtësia po bëhet.

“Bazuar në disa elementë të matshëm objektivisht gjykata e larë ka tashmë 15 gjyqtarë që mundësojnë formimin e dy trupave gjykuese për çdo kolegj, tre trupa gjykuese me pesë gjyqtarë që njehsojnë praktikën gjyqësore, kolegjet e bashkuara si trupë vendimmarrësse për ndryshimin e praktikës gjyqësore, mbledhjen e posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që ka zgjidhur ngërçin e plotësimit të vakancave duke emëruar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese por edhe një staf administrativ që vijon të plotësohet gradualisht. Për këto arsye ndihemi të bindur se reformimi i drejtësisë ia vlejti dhe është e dukshme që drejtësia po bëhet si në aspektin e drejtësisë penale, civile dhe administrative”, tha Sadushi.

Sadushi u shpreh se problematikë mbetet edhe numri i lartë i rekurseve dhe  shumë çështje që nuk e kalojnë testin e pranushmërisë, kjo për shkak se ka shumë abuzime.

Ai nënvizoi se kjo nuk do të tolerohet dhe se Gjykata e Lartë nuk mund të shikohet si gjykatë fakti por gjykatë që vendos praktikën.

“Përherë e kemi evidentuar si një problematikë shqetësuese numrin e lartë të rekurseve, të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë. Rreth 80% e rekurseve të paraqitura rezultojnë të pasuksesshme. E ndarë sipas fushave, nuk kalojnë testin e pranueshmërisë 75% e rekurseve në Kolegjin Civil, 83% në Kolegjin Administrativ dhe 80% në Kolegjin Penal”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë