Biznes

Ulet numri i bizneseve të vogla, në vështirësi për t’u rritur

Ndërmarrjet e vogla me 1-4 punëtorë edhe pse janë më të shumtat në numër, janë tkurrur për vitin 2018-të.

Sipas rezultateve paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve të INSTAT, nga 94.832 biznese të vogla me 1-4 punëtorë që numëroheshin në 2017-ën, një vit më pas rezultojnë 94,008 biznese të vogla.

Kurse binzeset me 5-9 të punësuar nga 6.759 që numëroheshin në 2017, një vit më pas ishin 6.873 duke zënë 6,4 % të totalit të bizneseve në ekonomi.

Këto biznese kanë shfaqur vështirësi gjatë aktivitetit të tyre duke tkurrur edhe investimet.

Gjatë vitit 2018, ndërmarrjet në grupin me 1-4 të punësuar përfaqësuan 69,3 % të ndërmarrjeve dhe punësuan 9,7 % të të punësuarve, të prodhuesve të të mirave. Ky grup ndërmarrjesh realizoi 4,5 % të shitjeve neto dhe 3,0 % të investimeve për prodhuesit e të mirave në raport me totalin e sipërmarrjeve në vend.

Në vitin 2018, të dhënat e INSTAT tregojnë se ndërmarrjet e tjera kanë pësuar rritje. Ato që operojnë në aktivitetet e prodhimit të të mirave dhe shërbimeve realizuan 2.179 miliardë lekë shitje neto, duke shënuar një rritje me 7,0 %, krahasuar me vitin 2017.
Investimet e realizuara arritën vlerën 238 miliardë lekë nga 232 miliardë lekë në 2017, duke shënuar një rritje prej 2,8 %.

Megjithatë, të dhënat tregojnë tkurrje të numrit edhe të sipërmarrjeve më të mëdha. Në vitin 2018, operuan 107.450 ndërmarrje aktive, duke u ulur me 0,2 %, krahasuar me vitin 2017, ndërsa numri gjithsej i të punësuarve u rrit me 4,6 %.

Në uljen e numrit të ndërmarrjeve aktive, prodhuesit e shërbimeve dhe të mirave kontribuan negativisht me nga 0,1 pikë përqindje. Sektori me numrin më të madh të ndërmarrjeve është ai i tregtisë (41,4 %), i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera (21,2 %) dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve (17,7 %). Gjatë vitit 2018, sektori i industrisë nxjerrëse pati numrin më të vogël të ndërmarrjeve aktive të cilat zunë 0,6 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej.

Në prodhuesit e të mirave, numri i ndërmarrje ka pësuar rënie me 1,0 %, krahasuar me vitin 2017, numri i të punësuarve është rritur me 4,3 %, shitjet neto janë rritur me 8,6 %, ndërsa investimet janë ulur me 7,6 %.

Bazuar në rezultatet paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, kontributin më të madh në rritjen prej 7,0 % të shitjeve neto e dhanë prodhuesit e shërbimeve me +4,1 pikë përqindje, të ndjekur nga prodhuesit e të mirave me +2,9 pikë përqindje.
Gjatë vitit 2018, sektori i tregtisë zë peshën më të lartë të shitjeve neto, i ndjekur nga sektori i ndërtimit.

Sektorët me peshën më të vogël janë ai i akomodimit dhe restoranteve dhe sektori i industrisë nxjerrëse.

Situatë e ngjashme paraqitet për treguesin e punësimit. Në rritjen prej 4,6 % të punësimit, prodhuesit e shërbimeve dhanë kontributin më të madh.

Sektorët me peshën më të lartë të punësimit për vitin 2018 janë sektori i tregtisë me 24,3 % të punësimit, sektori i shërbimeve të tjera (arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike, etj.) me 21,6 %, të ndjekura nga sektori i industrisë përpunuese me 20,6 % të të punësuarve gjithsej.

Gjatë vitit 2018, investimet e realizuara u rritën me 2,8 %, ku prodhuesit e shërbimeve kontribuan pozitivisht me 8,0 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e të mirave kontribuan negativisht me 5,2 pikë përqindje. Prodhuesit e shërbimeve zunë 37,9 % të investimeve, nga 30,7 % që zinin vitin e kaluar.

Sektori me vlerën më të lartë të investimeve të realizuara është ai i energjisë elektrike dhe ujit, i cili për vitin 2018 ka investuar 54 miliardë lekë, duke zënë 22,9 % të investimeve gjithsej. Peshën më të vogël të investimeve e zënë sektorët e akomodim dhe restorante (3,1 %) dhe transport dhe komunikacion (6,4 %).

Gjatë vitit 2018, nga vrojtimi rezulton se ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar japin kontributin kryesorë në ekonomi dhe realizuan 48,5 % të shitjeve neto, 42,2 % të të punësuarve gjithsej dhe 60,5 % të investimeve edhe pse përbëjnë vetëm 1,2 % të ndërmarrjeve aktive.

Gjatë vitit 2018, ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar zunë 5,3 % të ndërmarrjeve prodhuese të të mirave dhe realizuan 67,1 % të shitjeve neto. Numri i të punësuarve në këtë grup zuri 64,0 % të të punësuarve në prodhuesit e të mirave, ndërsa investimet arritën vlerën 108 miliardë lekë dhe përbëjnë 72,9 % të investimeve të prodhuesve të të mirave.
Në prodhuesit e shërbimeve, numri i ndërmarrjeve ka pësuar rënie me 0,1 %, krahasuar me vitin 2017, ndërsa treguesit e tjerë kanë shënuar rritje të numrit të të punësuarve me 4,8 %, shitjet neto me 6,1 % dhe investimet me 26,1 %.

Gjatë vitit 2018, ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar përbëjnë 0,6 % të ndërmarrjeve aktive në prodhuesit e shërbimeve dhe realizuan 39,0 % të shitjeve neto. Në këtë grup investimet arritën vlerën 36 miliardë lekë dhe përbënë 40,2 % të investimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë