Treg

Ulet konsumi i energjisë në 3 muajt e parë të vitit, rriten humbjet në rrjet

Ulet konsumi i energjisë në tremujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave më të fundit për tremujorin e parë të vitit, përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët u ul me 1,5 % duke arritur vlerën 1.544 GWh nga 1.567 GWh që ishte në tremujorin e parë të vitit 2019.

Ndikimin më të madh në uljen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë të cilët kontribuan me -3,2 pikë përqindje, përkundrejt kontributit prej +1,8 pikë përqindje të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë.

Por, gjatë izolimit për shkak të pandemisë drejtuesi i OSHEE Ardian Cela do të artikulonte se “ka një fakt që duhet thënë, që gjatë muajit mars konsumi i energjisë elektrike ka një rritje me 5% me vitin e kaluar. Duke pasur parasysh që për 2 javë ekonomia pushoi së funksionuari, ky konsum është i tërë konsum familjar dhe në rast kur kemi arritur t’i lexojmë kemi konstatuar rritje të konsumit edhe me dyfish. Dhe ky faturim referues nga kompania është një faturim me humbje. Që do të thotë që në muajin prill do të bëhet fatura sistemuese, por mund të ketë ndodhur që familjarët nuk kanë qenë fare në shtëpi, dhe konsumi do të jetë më pak. Fatura e radhës sistemuese do të jetë më pak ose më shumë. Duke rënë konsumi i biznesit, konsumi familjar nga 45% ka shkuar në 55% të të gjithë konsumit.”.

Deklaratë e kundërshtuar nga shifrat zyrtare të INSTAT.

Por në të njëjtën kohë rezultojnë me rritje humbjet e energjisë elektrike në rrjet.

Humbjet në rrjet kanë arritur vlerën 573 GWh nga 531 GWh duke shënuar kështu një rritje me 8,0 %.

Humbjet në transmetim kanë ndikuar me +2,5 pikë përqindje në totalin e humjeve në rrjet ndërsa humbjet në shpërndarje kanë ndikuar me +5,5 pikë përqindje.

Humbjet teknike në shpërndarje janë rritur me 1,2 herë, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje janë ulur me rreth 1,4 herë, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2020, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 0,9 %.

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë arriti vlerën 1.546 GWh nga 1.281 GWh energji të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2019, duke shënuar një rritje të prodhimit me 20,7 %.

Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 48,0 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 51,6 % dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,4 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Rritja e prodhimit të energjisë elektrike ka ndikuar në rritjen e importeve bruto të energjisë elektrike (energji në marrje) me rreth 1,0 herë dhe rritjen e eksporteve bruto të energjisë elektrike (energji në dhënie) me rreth 4,1 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Hidrocentralet publike, në tremujorin e parë të vitit 2020, prodhuan 1.540 GWh nga 1.277 GWh të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2019, duke shënuar kështu një rritje të prodhimit me 20,6 %.

Hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 798 GWh nga 590 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 35,2 %.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) rezultoi me rritje duke arritur vlerën 917 GWh nga 901 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) rezultoi me rritje duke arritur vlerën 346 GWh nga 84 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë