Treg

Ulen kostot e prodhimit për industrinë. Bien çmimet e importit

Nga Gazeta ‘SI’ – Çmimet e lëndëve të prodhimit po rriten me ritme të ngadalta, duke krijuar një ambient më të favorshëm për aktivitetin ekonomik në sektorin e prodhimit, si për tregun vendas, ashtu edhe për eksportin.

Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit (IÇP) në tremujorin e tretë të vitit 2025 shënoi një rritje vjetore prej 0.2%. Rritja më e lartë u regjistrua në sektorin e industrisë përpunuese me 0.4%, ndjekur nga industria nxjerrëse dhe sektori i furnizimit me ujë, trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave me 0.2%.

Brenda industrisë përpunuese, aktivitetet që regjistruan rritjen më të madhe të çmimeve ishin prodhimi i mobileve dhe prodhimi i pijeve, të dyja me 1.3%. Ndërsa ulja më e ndjeshme u vu re në konfeksionimin e veshjeve dhe prodhimin e kimikateve dhe produkteve kimike, të cilat shënuan 0.5% rënie.

IÇP për tregun vendas

Indeksi për tregun vendas shënoi një rritje vjetore prej 0.3%. Rritja më e lartë u shënua në industrinë përpunuese me 0.7% dhe në sektorin e furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbetjeve me 0.2%, ndërsa industria nxjerrëse shënoi rënie prej 1.6%.

IÇP për eksport

Për eksport, IÇP shënoi rritje të lehtë vjetore prej 0.1%. Rritja më e dukshme u regjistrua në industrinë nxjerrëse me 1.6% dhe në sektorin e furnizimit me ujë dhe trajtimit të mbeturinave me 0.7%. Nga ana tjetër, energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri i kondicionuar shënoi rënie prej 1.3%, ndërsa industria përpunuese u rrit minimalisht me 0.1%.

Indeksi i Çmimeve të Importit

Indeksi i Çmimeve të Importit, në tremujorin e tretë të vitit 2025, shënoi një ulje me 0,5 %, ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte -1,3 %. Në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2025, indeksi i çmimeve të importit shënoi një ulje prej 0,2 %.

Krahasuar me tremujorin e tretë 2024, çmimet e importit të produkteve në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” shënuan ulje me 4,6%, pasuar nga seksionet “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0,7%, “Industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 94,0%, me 0,3%.

Nga ana tjetër seksioni “Industri nxjerrëse” shënoi një rritje me 0,4%. Brenda seksionit “Industria përpunuese” ulja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktiviteteve “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 1,7% pasuar nga “Prodhimi i drurit dhe produkteve prej druri dhe dushku, përveç mobiljeve; prodhimin e artikujve prej kashte dhe xunkthi” me 1,2%, “Konfeksionimi i veshjeve’’ me 0,8% , “Prodhimi i pijeve’’ me 0,6% dhe “Prodhimi i kimikateve dhe produkteve kimike” me 0,5%.

Nga ana tjetër, çmimet në aktivitetin “Industri të tjera p.k.t” shënuan rritje me 1,3 %, pasuar nga “Prodhimi i produkteve të duhanit” me 1,1% dhe “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 0,8%, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë