Bota

Ukraina sulmon bazën ajrore në Lipetsk, Rusia bombardon një supermarket në Donjeck

Gazeta Si- Ushtria ukrainase njoftoi se kishte goditur “me sukses” një bazë ajrore ushtarake ruse në rajonin e Lipetsk, pothuajse 300 kilometra nga kufiri me Ukrainën, në një zonë të goditur nga sulmet me dronë gjatë natës.

“Gjatë sulmit, u goditën depo me bomba ajrore të drejtuara dhe instalime të tjera në zonën e bazës ajrore… shpërtheu një zjarr i madh dhe u raportuan disa shpërthime”, thuhet në një deklaratë nga Shtabi i Përgjithshëm i Kievit.

Por vetëm pak orë pas këtij njoftimi, dy persona humbën jetën dhe 17 të tjerë u plagosën në një sulm të nisur mëngjesin e kësaj të premteje nga forcat ruse kundër një supermarketi në Kostyantynivka, në rajonin Donetsk, në Ukrainën lindore.

Sipas kreut të Administratës Rajonale Ushtarake, Vadim Filashkin bëhet fjalë për, “dy të vdekur dhe 17 të plagosur. Ky është informacioni i fundit në lidhje me sulmin në Kostyantynivka… Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë”, – tha Filashkin.

Ndërkohë, dy ditë pas nisjes së operacionit ushtarak në territorin rus të Kurskut, Ukraina tha se mijëra njerëz duhej të evakuoheshin nga zonat në kufi me këtë rajo, ku Moska tha se kishte luftuar kundër inkursionit ukrainas për të katërtën ditë me radhë.

Policia ukrainase tha se “rreth 20,000 njerëz duhet të evakuohen” nga 28 vendbanime në rajonin Sumy – një rritje e fortë nga vlerësimi i mëparshëm i 6,000 njerëzve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë