Rezultati i zgjedhjeve evropiane shtron një sërë pyetjesh vendimtare për skenarin ndërkombëtar: çfarë do të ndodhë tani për të mbështetur Ukrainën? A do të ndryshojë diçka në marrëdhëniet me Vladimir Putin? Dhe me Joe Biden? A do të vazhdojë projekti i përbashkët evropian i mbrojtjes?
Me mbylljen e qendrave të votimit, na pret një muaj politiko-diplomatik me të paktën tre afate të rëndësishme:
më 13 dhe 14 qershor, pra pas pak ditësh, G7 e udhëhequr nga Italia në Pulia;
më 15 dhe 16 Konferenca e Paqes në Lucern, e promovuar nga Volodymyr Zelensky, së cilës i janë bashkuar deri tani rreth njëqind vende (Rusia është përjashtuar; Kina nuk merr pjesë);
nga 9 deri më 11 korrik, samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive të NATO-s, në Uashington.
Vëmendja, natyrisht, do të përqendrohet mbi të gjitha tek lëvizjet e dy humbësve të mëdhenj, Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz. Zgjedhjet parlamentare në Francë janë caktuar për 30 qershor dhe 7 korrik, me një raund të dyfishtë. Por, edhe në rast të një fitoreje të qartë për Rassemblement National të Marine Le Pen, presidenti francez do të vazhdojë të mbajë frenat e politikës ndërkombëtare.
Macron, siç parashikon Kushtetuta, do të mbetet kreu i forcave të armatosura dhe diplomacisë, edhe në rast të bashkëjetesës me një qeveri të formuar nga opozita aktuale. Në teori, pra, mund të konfirmojë strategjinë e ndjekur deri më tani në nivel ndërkombëtar: mbështetje maksimale për Kievin, duke filluar me dërgimin e më shumë armëve. Sidoqoftë, kjo zgjedhje mund të rrisë tensionin e brendshëm në Francë, duke ofruar, për më tepër, argumente të reja për lepenianët, të cilët kërkojnë, të paktën, të lehtësojnë mbështetjen për Zelensky.
Situata e Scholz-it është gjithashtu shumë komplekse, duke udhëhequr një qeveri që tashmë ishte e rrënuar nga shumë dyshime për luftën edhe para goditjes në qendrat e votimit.
Prandaj, në javët e ardhshme, konfuzioni dhe pasiguria mund të rriten. G7-ja italiane mund të kthehet në një hap ndërlidhës, me vetëm një objektiv të arritshëm: të përdorë interesat e fondeve ruse të bllokuara në bankat evropiane për të garantuar kreditë e dhëna Ukrainës.
Konferenca e Paqes mund të rezultojë në një paradë të thjeshtë deklaratash parimore, duke pritur që balancat e reja politike të vendosen në Paris, Berlin dhe Bruksel.
Së fundi, Aleanca Atlantike.
Gjithashtu në këtë rast francezët dhe gjermanët mund të kërkojnë kohë, duke ngadalësuar rrugën e Ukrainës drejt NATO-s. Ose Macron dhe Scholz mund të rinisnin sfidën ndaj kundërshtarëve të tyre të brendshëm, duke ruajtur besimin në rrugën politiko-diplomatike Amerikanët, britanikët dhe krahu lindor i Aleancës sigurisht që do të bëjnë presion në këtë kuptim. Kalendari ofron javë të tëra testesh dhe tensionesh të vështira.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.