Bota

Ukraina propozon një raund të ri negociatash me Rusinë deri në fund të qershorit

Nga Gazeta ‘Si’- Ukraina ka propozuar një raund të ri negociatash me Rusinë midis datave 20 dhe 30 qershor, në përpjekje për të ringjallur përpjekjet për t’i dhënë fund luftës që ka hyrë në vitin e tretë të saj.

“Propozojmë që pala ruse të zhvillojë një takim nga data 20 deri më 30 qershor,” deklaroi ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, pas takimeve të zhvilluara sot në Stamboll.

Ai theksoi nevojën për një takim të drejtpërdrejtë midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit rus Vladimir Putin, një kërkesë që Zelensky ka përsëritur edhe më parë, pa marrë përgjigje nga Kremlini.

Në takimin e sotëm, pala ruse u përfaqësua sërish nga këshilltari presidencial Vladimir Medinsky, që udhëheq ekipin negociator të Moskës.

Pas përfundimit të bisedimeve, negociatori ukrainas Sergiy Kyslytsya tha se Rusia refuzoi përsëri kërkesën e Kievit për një armëpushim të pakushtëzuar. 

“Pala ruse vazhdon të hedhë poshtë propozimin për një armëpushim të pakushtëzuar,” u shpreh ai në një konferencë për shtyp, duke shtuar se argumenti i Moskës është se një marrëveshje e tillë do t’i jepte Ukrainës kohë për t’u riorganizuar dhe për t’u furnizuar, ndërkohë që forcat ruse po përparojnë në terren.

Nga ana tjetër, Medinsky deklaroi se Moska ka propozuar një armëpushim afatshkurtër prej dy deri në tre ditë në disa zona të caktuara, dhe i ka dorëzuar delegacionit ukrainas një dokument të detajuar me propozime për një marrëveshje të plotë armëpushimi.

Sipas tij, dokumenti përfshin hapa konkretë drejt një marrëveshjeje të përgjithshme, të cilën Kievi do ta shqyrtojë në ditët në vijim.

Megjithëse në planin politik nuk u arrit ndonjë përparim i madh, është shënuar progres në fushën humanitare. Të dyja palët ranë dakord për shkëmbimin e të burgosurve të luftës që janë rëndë të plagosur, ushtarëve të moshës 18 deri në 25 vjeç, si dhe për procedurat e riatdhesimit të trupave të ushtarëve të rënë në betejë.

“Jeta njerëzore është vlera më e madhe. Nëse këto takime mundësojnë kthimin e qoftë edhe një personi të vetëm, atëherë ia vlen,” u shpreh një zyrtar ukrainas, duke shtuar se numri i saktë i personave të përfshirë ende nuk është përcaktuar.

Nga ana tjetër, Medinsky njoftoi se Rusia do të dorëzojë mbi 6,000 trupa të ushtarëve ukrainas të vrarë gjatë javës së ardhshme dhe vlerësoi se rezultatet e takimit të sotëm janë të ngjashme me ato të raundit të parë, muajin e kaluar.

Zyrtarët ukrainas theksuan se nuk kishin mundësi të përgjigjeshin menjëherë ndaj propozimeve ruse, pasi dokumenti u dorëzua gjatë takimit të sotëm. Megjithatë, ata theksuan se, pavarësisht mungesës së informacionit paraprak, kishin ardhur me gatishmëri për dialog.

“Dua të përsëris se Ukraina mbetet konstruktive dhe e përkushtuar ndaj paqes. Prandaj jemi këtu,” u shpreh një përfaqësues i delegacionit ukrainas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë