Nga Ivan U.Klyszcz – Konferenca e Sigurisë e Mynihut (MSC) e këtij viti, tregoi se është lënë pas gëzimi ndaj rezistencës ukrainase dhe unitetit perëndimor përballë Rusisë gjatë viteve 2022-2023. Dhe ç’është më e rëndësishmja: Perëndimi nuk është bashkuar ende rreth një vizioni mbi fitoren e Ukrainës, dhe shumë zyrtarë dhe analistë po mbështeten tek iluzioni se lufta ka hyrë tashmë në një ngërç që do të zgjasë.
Por siç e tregoi së fundmi tërheqja e ushtrisë ukrainase nga Avdiivka, luftimet nuk janë në ngërç. Një humbje e Ukrainës në luftë është e mundur. Sikurse u pa edhe në Konferencën e Mynihut, ngërçi i vërtetë po vërehet në Perëndim.
Të vetëdijshëm për këto tendenca, analistët, politikë-bërësit dhe politikanët po reflektojnë se çfarë do ta ndryshojë për mirë trajektoren e luftës. Siç e përsëritën shumë zyrtarë dhe ekspertë me përvojë, SHBA-ja dhe Evropa po presin 2 faktorë për të ndryshuar rrjedhën e luftës.
Së pari zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të industrisë së tyre të mbrojtjes, dhe së dyti rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Pavarësisht mospërputhjes së dukshme midis qëllimit dhe veprimit, një mesazh u dallua shumë qartë në konferencë.
Evropa duhet të rindërtojë me shpejtësi kapacitetin e saj industrial për të mbrojtur Ukrainën por edhe veten. Siç e theksoi edhe Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, industria e mbrojtjes dhe mjetet financiare që e mbështesin saj, janë thelbësore për parandalimin e agresionit rus.
Mesazhe të ngjashme për industrinë evropiane të mbrojtjes, u dhanë edhe nga senatori republikan amerikan J.D.Vance, që theksoi ndër të tjera se mbështetja e SHBA-së për Ukrainën kufizohet nga kapaciteti industrial dhe jo nga financimi në para.
Në dallim nga Pistorius, Vance është në favor të një zgjidhjeje të negociuar të konfliktit. Pavarësisht përsëritjes së këtyre mesazheve, pas tyre fshihet një optimizëm i tepruar. Pra që shpenzimet e mbrojtjes, janë një mënyrë e drejtpërdrejtë për t’i përkthyer shifrat marramendëse të PBB-së së Perëndimit në një parandalim efektiv ndaj Rusisë.
Në parim, kjo është e saktë, dhe është një hap urgjent dhe i domosdoshëm. Por në praktikë, industria e mbrojtjes kërkon kohë dhe garanci për të filluar ndërtimin e fabrikave dhe pajisur ato me kapacitete prodhuese shtesë. Që vitin e kaluar, ishte tashmë e qartë se BE-ja nuk do të arrinte dot të përmbushte objektivat e saj për sasinë e predhave që i premtoi Ukrainës.
Armin Papperger, kreu i Rheinmetall, kompanisë më të madhe gjermane në fushën e mbrojtjes, foli javën e kaluar për gjendjen e prodhimit dhe rezervat e municioneve në Evropë. Ai tha se kompania do të ketë një rendiment shumë më të mirë brenda 3-4 vitesh. Por shtoi se përgatitja reale do të kërkonte një dekadë. Ndërkohë, edhe 3 vjet pritje mund të jenë shumë të gjata për Ukrainën.
Të presësh që industria e mbrojtjes të rrisë prodhimin, është një taktikë e gabuar. 800.000 predhat që qeveria çeke i gjeti në tregjet ndërkombëtare, do të ishin një ndihmë e madhe.
Por ato nuk barazohen as me më shumë se 1 milion predha artilerie, që i janë dërguar tashmë Rusisë nga Koreja e Veriut, njëri prej vendeve më të varfra në botë. Partnerët e tjerë të Rusisë si Irani dhe Mianmari, i kanë dërguar Moskës ndihmë ushtarake. Dhe kjo mbështetje po vazhdon.
Evropa duhet të investojë sa më shpejt në sektorin e saj të mbrojtjes. Por kur flitet për periudha afatshkurtra, kjo është një dilemë e rreme. Një nga deklaratat e rralla e të guximshme ishte ajo e kryeministres daneze Mette Frederiksen, vendi i të cilës i dhuroi Ukrainës në vitin 2023 të gjithë artilerinë që kishte.
Frederiksen e vuri theksin tek potenciali aktual i Evropës:”Më vjen keq ta them, por problemi nuk qëndron vetëm tek sasia e prodhimit. Evropa ka ende pajisje ushtarake. Dhe ato duhet të dërgohen në Ukrainë”. Duke pasur parasysh situatën emergjente në Ukrainë, kjo është qasja e duhur, dhe jo rritja e ngadaltë e kapaciteteve industriale.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë shpëtimtaret e vetme në këtë situatë. Presidenti Joe Biden ka qenë një mbështetës i palëkundur i Ukrainës, por ne jemi dëshmitarë edhe të kufijve që ka mbështetja e Amerikës. Pasi thuhet se bllokoi – së bashku me Gjermaninë – ftesën e NATO-s për Ukrainën, Shtëpia e Bardhë po has shumë vështirësi në miratimin e një ndihme shtesë për Ukrainën.
Akoma më shqetësues është fakti që gjatë gjithë vitit të kaluar, nuk ka pasur ndonjë ndihmë të madhe ushtarake të SHBA-së për Ukrainën (ka pasur paketa më të vogla ndihme, por secila nën 1 miliard dollarë). Deri më sot, mbështetja e SHBA për Ukrainën arrin në rreth 0.3 për qind të PBB-së së saj.
Republikanët nuk janë aspak të angazhuar ndaj Kievit. Trump i tronditi aleatët, kur tha publikisht se në rastin e një sulmi rus, nuk do të mbështesë shtetet evropiane që shpenzojnë më pak se 2 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtjen. Dhe kjo qasje ndaj NATO-s, dominon në të gjithë kampin e opozitës.
Kongresmeni Vance tha në Mynih se SHBA-ja nuk duhet të braktisë Evropën, megjithatë duhet të orientohet më shumë drejt Azisë Lindore. Senatori republikan amerikan Peter Ricketts, u sulmua ashpër kur krahasoi 300.000 ushtarët rusë që pushtuan Ukrainën, me miliona emigrantë pa dokumente që kanë hyrë vitet e fundit në SHBA.
Evropa në tërësi, nuk është thjesht një prioritet për republikanët. Vance e shmangu takimin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Mjerisht, as investimet e shtuara në mbrojtje, dhe as SHBA-ja nuk do të arrijnë t’i japin fund ngërçit të Perëndimit në një periudhë afatshkurtër.
Mosbesues ndaj një fitoreje të Ukrainës, por pa dëshirë për ta ftuar Ukrainën në NATO dhe për ta armatosur Kievin në një nivel të tillë që ta arrijë fitoren, Perëndimi e ka humbur avantazhin strategjik që kishte ndaj Moskës. Dhe pasoja është se tani Perëndimi po pret lëvizjen e radhës të presidentit rus Vladimir Putin.
Tani është në dorën e Putinit të prishë ngërçin që ekziston në Perëndim, ose duke e ndalur luftën kundër Ukrainës për ta rindërtuar ushtrinë e tij (pastaj për të sulmuar sërish), ose të vazhdojë të zgjerojë pushtimin.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba u shpreh në fjalimin e tij në Mynih:”Kur një qytetar i Evropës, lexon në lajme se Ukraina u tërhoq nga Avdiivka, duhet të kuptoni një fakt të thjeshtë:Rusia i është afruar më shumë shtëpisë tuaj!”.
Disa vende evropiane po ushtrojnë presion që Perëndimi t’i japë fund hezitimit të tij. Në dhjetorin e vitit të kaluar, qeveria estoneze publikoi një plan që parashikon për mbështetje të qëndrueshme për Ukrainën, dhe që do t’iu kushtojë vendeve anëtare të NATO-s jo më shumë se 0.25 për qind të PBB-së së tyre në vit.
Nëntitulli i raportit dërgon një mesazh të qartë vendosmërie:”Një strategji ushtarake për fitoren e Ukrainës dhe humbjen e Rusisë”. Ndërkohë, është i vërtetë edhe mesazhi i përsëritur nga Vance:Luftërat nuk zhvillohet nga PBB-ja, por nga njerëzit e armatosur.
Derisa aleanca perëndimore të arrijë të bashkohet rreth një plani për fitore, ukrainasve u mbetet të vazhdojnë të marrin vetë iniciativën. Ne nuk e dimë se ku mund të shkojë kjo nismë. Por në skenë mund të shfaqen skenarë të shëmtuar. Përmes një pyetje për një nga panelet e diskutimeve MSC, deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko ngriti mundësinë që Ukraina të shohë mundësinë e ndërtimit të armëve të saj bërthamore.
Që në shkurtin e vitit 2022, Zelensky la të kuptohet mundësinë e rishikimit të statusit jo-bërthamor të Ukrainës. Sigurisht, as Goncharenko, as Zelensky dhe as shumica dërrmuese e ukrainasve, nuk dëshirojnë vërtet që vendi i tyre të pajiset me armë bërthamore.
Një projekt i tillë, do t’i jepte fund shanseve të Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE. Po ashtu, ajo do ta transformonte agresionin e Rusisë në një konflikt të vazhdueshëm, ashtu si po ndodh midis Indisë dhe Pakistanit. E megjithatë, pa anëtarësimin në NATO dhe ndihmën vendimtare ushtarake perëndimore, Ukraina do të detyrohet të gjejë një të ardhme të sigurt për veten. Të presësh që lufta të mbarojë, do të thotë sërish të presësh që të fitojë Putini.
Burimi: The Moscow Times/Përshtati Gazeta Si
Shënim:Dr.Ivan U.Klyszcz, studiues në Qendrën Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Sigurinë (ICDS) në qendër të Talin të Estonisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.