Para

Ukraina do ta shtyjë më tej forcimin e euros ndaj lekut

Kur sulmet e Rusisë në Ukrainë nisën në agimin e së enjtes më 24 shkurt, përtej sigurisë, shtetet nisën të përllogarisin kostot ekonomike të luftës dhe efektet e shtrira të saj.

Sot(3 mars) është dita e tetë e pushtimit dhe kursi i këmbimit valutor në Shqipëri ka nisur të ndikohet tërthorazi..  

Disa nga agjentët e këmbimit valutor në Shqipëri thonë për Gazetasi.al se që nga mesi i janarit të kaluar euro po ndjen rritje këto ditë dhe leku ka nisur të nënçmohet disi në raport me të.

“Tani janë efektet e para në tregjet financiare që po shtrihen kudo nëpër botë dhe sigurisht nuk mund të presim që të ketë ndryshime drastike e të menjëhershme. Dje(2 mars) euro u këmbye me 121.71 lekë dhe kjo rritje ka ardhur si pasojë e rritjes së kërkesës për euro në tregun e brendshëm.

Ajo çka ne parashikojmë është se në një situatë të tillë ky forcim i euros ndaj lekut do të vijojë më tej edhe në ditët e ardhshme. Kjo situatë do ta bëjë të vështirë që leku të rezistojë në të njëjtat nivele”, thotë për Gazetasi.al Artan Poka, një agjent këmbimi valutor.

Më tej ai shton se ky ishte një zhvillim i pritshëm duke qenë se presionet inflacioniste nga lufta janë shtuar kudo nëpër botë.

“Vendi ynë ashtu si edhe vende të tjera të rëndësishme europiane kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë ku përgjithësisht kryeson bllokimi i importeve nga ajo.

Ukraina dhe Rusia janë eksportuese të rëndësishme të drithërave por edhe të produkteve energjetike. Këto sanksione të cilat kanë rritur çmimet e këtyre produkteve të rëndësishme, kanë shtuar njëkohësisht edhe pasiguritë dhe kërkesat për të patur sa më shumë rezerva.

Këto janë faktorë që kanë sjellë një tendencë në rritje për blerjen e euros. Zgjerimi i defiçitit të jashtëm mund të sjellë një zhvendosje në rritje të kursit të euros dhe përcjellje më të madhe të inflacionit të importuar në ekonominë tonë.”

Agjentë të tjerë nga tregu thonë për Gazetasi.al se deri tani, pavarësisht se ka pasur presione, oferta e lartë e monedhës europiane në treg ka ndihmuar në rezistimin e monedhës vendase por nuk përjashtohet mundësia që ajo të futet në një spirale nënçmimi.

“Gjatë muajve të fundit të 2021-shit dhe përgjatë fillimit të këtij viti, leku ka ruajtur pozita të forta ndaj euros. Banka e Shqipërisë e ka rritur vazhdimisht rezervën valutore të cilën e përdorim për të qetësuar tregun sa herë që është e nevojshme.

Rezerva jonë valutore është 5mld euro,përkatësisht 4.97,  një nivel gati historik pasi u rrit me rreth 26% nga viti 2020.

Në situata paniku përdorimi i kësaj rezerve është lehtësim. Rritja ka qenë më e lartë në 6 vitet e fundit pasi në vitin 2015 rezerva valutore raportohej diku tek 2.8 mld euro. Leku i fortë ka luajtur rol të konsiderueshëm edhe në amortizimin e pjesshëm e presioneve të forta inflacioniste nga jashtë në ekonominë shqiptare por në një situatë të tillë nuk përjashtohet asnjë anë e medaljes”, thotë njëri prej tyre nga një këmbim valutor në zonën e quajtur Brryli në Tiranë.

Ai shton se situata në Ukrainë i gjeti pa përgatitur tregjet të cilat sapo kishin nisur rimëkëmbjen e brishtë pas pandemisë që i zhyti në kolaps për një kohë të gjatë.

“Ashtu siç kishim pritshmëri për këtë forcim të euros, ashtu ndodhi. Por gjithçka do të variojë nga situata në Ukrainë dhe tregjet financiare ndërkombëtare”, thotë ai më tej.

Pushtimi rus i Ukrainës është më i madhi ndaj një shteti europian që nga Lufta e Dytë Botërore dhe kjo ngjarje është reflektuar menjëherë në të gjithë tregjet financiare europiane. Shumë sanksione perëndimore janë vendosur ndaj Rusisë përfshirë edhe ndërprerjen e disa bankave ruse nga rrjeti financiar SWIFT dhe kufizimin e aftësisë së Moskës për të vendosur rezervat e saj valutore prej 630 miliardë dollarësh.

Bankat globale po tregohen shumë të kujdesshme për sa i përket lidhjeve tregtare me të gjitha entitetet ruse dhe po largojnë klientët nëse kanë qoftë edhe dyshimin më të vogël për lidhjet e tyre me Rusinë, sipas shumë bankierëve.

Rubla ruse ra në pikiatë që pas ditës së dytë të pushtimit të Ukrainës ndërsa çmimet e naftës dhe të drithërave u rritën menjëherë.

Edhe përpara se aleatët perëndimorë të vendosnin sanksionet e tyre të rënda gjatë fundjavës, blerësit kryesorë të naftës ruse e kishin të vështirë të siguronin letra kredie nga bankat perëndimore për shkak të pasigurisë që mbizotëronte në treg, raportoi Reuters javën e kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë