Ka ndodhur

Pastrohen rrugët nga inertet pas tërheqjes së ujit në Vlorë, por garazhet e pallateve janë ende plot

Pas përmbytjeve për shkak të rreshjeve të dendura dhe mosfunksionimit të rrjetit kullues të qytetit, uji tashmë është larguar nga lagjet e Vlorës, por problem mbeten katet nëndhe të pallatave ku dhjetëra makina mbeten ende të përmbytura.

Megjithëse reshjet nuk janë ndalur, në qytet po vijon puna për pastrimin e disa akseve nga inertet dhe heqjen e ujit nga garazhet nëntokësore të disa pallateve. Në ndihmë të Bashkisë së Vlorës, janë angazhuar 31 efektivë të FA me 10 mjete transporti dhe 8 motopompa me kapacitete të ndryshme.
Ministria e Mbrojtës njoftoi se sipas porosisë së lënë në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile në Prefekturë është kontaktuar me strukturat lokale për të evidentuar sa më shpejt sipërfaqen e përmbytur, banesat, bizneset, objektet shtetërore, shkollat, objektet kulturore, qendrat shëndetësore, rrugët, automjetet dhe çdo infrastrukturë tjetër të prekur.
“Në bashkëpunim me Rezervat e Shtetit janë dërguar për banorët e prekur 4,5 ton mallra ushqimore, 1,5 ton ujë dhe 200 litra detergjentë. Forcat operacionale do të vijojnë punën deri në kthimin e plotë të situatës në normalitet”, njoftoi Ministria.

Vetëm në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, uji u largua edhe në rrugën ‘Albano e Romina’ një nga lagjet më të dëmtuara të qytetit, apo edhe te Kisha Ortodokse.

Më herët gjatë ditës Bashkia tha se ka bërë planin për të ndërhyrë në garazhet e pallateve. “Problematikë mbeten garazhet e pallatave. Kemi bërë një strategji të qartë si do të operojmë për garazhet e pallateve. Janë 9 në total garazhe pallatet që do të ndërhyjmë” tha kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha në një prononcim për median në orën 22:30 të mbrëmjes së të shtunës (5 tetor).

“Do të ndërhyhet dhe në lagjen ‘Kushtrimi’ por këtu problematika është e vështirë. Problematika është më e madhe se është zonë informale”, tha ai.

Kryebashkiaku Dredha ndërkaq premtoi kompensim për dëmet e shkaktuara. “Do të jemi të bashkërenduar duke takuar çdo qytetar për të treguar gjithë hallkat që do të ndjekin nëse do të ketë trajtim financiar dhe jo vetëm. Njerëzit të jenë të qetë se aq sa kemi ne në dorë do të bëjmë maksimumin tonë për t’i ndihmuar të kthehen në normalitet. Duke pasur dhe trajtimin financiar që i takon”, tha Dredha.

“Ju kërkojmë ndjesë që nuk mund të menaxhonim më shpejt se kaq. Por sic e patë dhe vetë ishte përtej mundësive njerëzore, pasi ishin gati 180 mln shi në second që kanë rënë për dy orë e gjysmë. Ne do të jemi në gadishmëri” tha Dredha.

Nuk ka ende një bilanc të saktë të dëmeve që shkaktuan jo më shumë se 3 orë shi të pasdites së 4 tetorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë