Në harkun kohor të dy ditëve mbi 100 persona nga qyteti i Bulqizës kanë përfunduar të helmuar në spital. Urgjenca e spitalit të Bulqizës është përballur me një fluks të madh njerëzish me simptoma të njëjta: dhimbje barku, të vjella dhe dhimbje koke. Banorët e helmuar janë të gjithë nga lagjja e vjetër e qytetit dhe të grupmoshave të ndryshme, ku mes tyre janë të paktën edhe 24 fëmijë. Nisur nga simptomat, mjekët paraprakisht thanë se shkak i helmimit mund të jetë uji i pijshëm.
Në pritje të rezultatit të analizave, Instituti i Shëndetit Publik u shpreh se dyshimet janë për ujin e pijshëm.
“Uji është i vetmi gjë e përbashkët që i lidh ata. Mendojmë se ajo mund të jetë shkaktari”, tha mjekja Rovena Daja.
Po ashtu, përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Rovena Daja deklaroi se banorët në të dyja lagjet e qytetit janë udhëzuar të mos pinë ujë nga çezmat dhe që nga ky moment numri i të prekurve është ulur.
“Ne për momentin kemi udhëzuar që uji të mos konsumohet dhe realisht që nga ky moment numri i rasteve është ulur shumë. Lagjja që është prekur konsumon kryesisht ujin e rrjetit dhe ky fakt na bën të mendojmë se ky mund të jetë shkaktar i helmimit”, deklaron Daja.

Prefekti i Qarkut të Dibrës, Nexhbedin Shehu, ka deklaruar se analizat e deri më tanishme thonë se shkaku i helmimit nuk është uji, ndaj kërkon zgjerimin e hetimeve. Ai tha se do kryhen analiza akoma më të specializuara për të vërtetuar këto dyshime.
“Sapo mora konfirmim nga laboratori fiziko-kimik i Peshkopisë, rezultatet e ujit kanë dalë mirë. Në Tiranë janë ato kampion, por mbase do të duhet një kohë më e gjatë. Bisedova me drejtorin e spitalit për ta zgjeruar rrethin e kërkimit”, tha prefekti Nexhbedin Shehu.
Në pritje të përgjigjes së analizave, ku edhe do të mësohet shkaku i helmimit, mjekë të spitalit të Bulqizës kanë ngritur edhe hipoteza të tjera, ku përvec ujit të pijshëm shkak për helmimin mund të jetë bërë edhe ndonjë furrë buke apo në rastin më të keq, mund të jetë ngjarje e qëllimshme.
Ndërkohë, drejtori i Ujësjellësit, Nedion Muça, ka mohuar që shkak ka qenë uji, ndërsa ka shtuar se për të vërtetuar dyshimet paraprake të mjekëve duhet të pritet 48 orë për përgjigjet e analizave.
Lidhur me numrin e madh të njerëzve të helmuar ish-deputetja e PD, Dhurata Çupi kërkoi dje nga institucionet publike që banorët e Bulqizës të informohen, t’u thuhet se çfarë po ndodh me ta dhe nga se u rrezikohet shëndeti.
“Situata shëndetësore e banorëve të Bulqizës vijon të përkeqësohet dhe numri i të prekurve nga helmimi vjen në rritje. Autoritetet përgjegjëse po mundohen kujt t’ia lënë përgjegjësinë në derë për këtë ngjarje të rëndë. Banorët e Bulqizës prej tre ditësh po përballen me një situatë të pazakontë duke shkuar drejt 100 numri i të prekurve nga helmimi”, tha Çupi.
Sipas saj, mjekët thonë se kjo po ndodh për shkak të cilësisë së ujit të pijshëm, ndërkohë që ujësjellësi pret përgjigje analizash.
“Nga ana tjetër qytetarët kanë tejmbushur spitalin duke shfaqur shenja helmimi. Banorët e Bulqizës nuk mund të presin lojën kukafshehti të autoriteteve por duhet të informohen e t’u thuhet se çfarë po ndodh me ta dhe nga u rrezikohet shëndeti. U bëj thirrje autoriteteve ligjzbatuese, prokurorisë, të nisin sa më parë hetimin për këtë ngjarje që po rrezikon shëndetin e dhjetëra banorëve. Përgjegjësit e kësaj ngjarje duhet të vihen përpara drejtësisë”, tha ish-deputetja Çupi.
Në mungesë të një shkaku zyrtar, helmimi i këtyre qytetarëve mbetet ende mister. Por, fakti që në shumë raste janë prekur e gjithë familja, përforcon dyshimet se faktori i kontaminuar është konsumuar masivisht nga qytetarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



