Analize

Ujë e argjend, ja pse i leverdis Serbisë ndryshimi i kufijve

Serbët që banojnë në veri të Mitrovicës nuk janë i vetmi shqetësim e shkak i Beogradit që këmbëngul në rishikimin e kufijve me Prishtinën. Kjo pjesë e territorit të Kosovës ka një rëndësi strategjike jo vetëm si një nyje kalimi veri-jug dhe lindje-perëndim, por edhe për shkak të burimeve natyrore që mbart.

Më e rëndësishmja është miniera e Trepçës. E vendosur më pak se 10 kilometra larg qytetit të Mitrovicës, kjo minierë është më e madhja në Europë sa i takon rezervave të plumbit, zinkut dhe argjendit. Në kulmin e shfrytëzimit gjatë sundimit të Titos, në galeritë e kësaj miniere punonin mbi 20 mijë vetë. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, megjithë shfrytëzimin e saj që prej Perandorisë Romake, Trepça strehon ende 60.5 milionë tonë xehe, kryesisht plumb e zink, por ka edhe mesataren më të lartë në Europë për nxjerren e argjendit për ton, rreth 74 gram për ton.

Në vitin 1989 miniera u vendos në qendër të vëmendjes jo për pasuritë që nxirrte prej nëntokës, por për grevën e urisë të më shumë se 1300 minatorëve shqiptarë që u mbyllën për 8 ditë në kushte të vështira për të kundërshtuar vendimin e Sllobodan Millosheviç për heqjen e autonomisë së Kosovës.

Luftërat që pasuan hyrjen e viteve ’90 dhe deri në fund të luftës së Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s, ashtu siç shkërmoqën të gjithë Jugosllavinë, shkërmoqën edhe funksionimin e minierës.

Në 2006, një marrëveshje e arritur me Serbinë nga komuniteti ndërkombëtar e përfshinte Trepçën në territorin e Kosovës. Për shqiptarët, në Jarinjë ishte kufiri ndarës mes dy shteteve, ndërsa për serbët në Kosovë e Beograd ishte dhe vazhdon të mbetet një “vijë ndarëse administrative”.

Pjesa dërrmuese e pasurive nëntokësore të Kosovës është e përqendruar në veri të saj

Veç Trepçës, Mitrovica e Veriut është një prej zonave më të pasura me burime ujore në Kosovë. Territori përshkohet nga lumenj e përrenj, ku më i famshmi është Ibri, që ndan qytetin në dy pjesë, atë shqiptare në jug dhe serbe në veri.

Gjërat nuk janë të ndara si me thikë, por në veri numri i shqiptarëve që jetojnë atje është rralluar dhe vazhdon të rrallohet dita-ditës. Dora e Beogradit në këtë pjesë të Kosovës është shumë e fortë dhe deklaratat e Prishtinës së është duke vendosur kontrollin atje janë më shumë politike sesa një realitet në terren.

E gjithë përplasja ka krijuar një terren të përshtatshëm për krimin e organizuar dhe grupet të ndryshme kriminale, kryesisht serbe që po e shfrytëzojnë duke e përdorur veriun e Mitrovicës si bazë të operacioneve të tyre rajonale e ndërkombëtare.

Përpjekjet e Prishtinës për të joshur serbët përmes ofrimit të ofiqeve në zyrat shtetërore, apo rritjes së investimeve me ndihmën e Bashkimit Europian janë rrëzuar njëra pas tjetrës dhe situata nuk ka ndryshuar shumë që nga viti 1999, përkundrazi, shpallja e Pavarësisë në vitin 2008 i përkeqësoi gjërat.

Serbët në këtë pjesë nuk njohën dhe vazhdojnë të mos e njohin shtetin e Kosovës, edhe pse Prishtina hera-herës ka përdorur edhe “kërrbaçin” për t’u provuar të kundërtën, si në rastin e ndalimit të trenit të nisur me slogane provokuese nga Beogradi, apo në atë të arrestimit të bujshëm të Marko Gjuriçit, që kishte kaluar kufirin pa marrë më parë miratimin e autoriteteve kosovare.

Sot, thuajse dy dekada nga largimi i trupave serbe nga Kosova dhe 10 vite nga Pavarësia, ndërkombëtarët, por edhe politikanët në Prishtinë duket se janë lodhur nga përpjekjet për të vendosur nën kontroll këtë territor.

Në Serbi nga ana tjetër duket se e kanë kuptuar se Kosovën e kanë të humbur dhe vetë Presidenti Aleksandër Vuçiç ecën me parimin “të shpëtojmë ç’të mundim”. Në fakt, për Beogradin ndryshimi i kufijve ka qenë gjithmonë një plan rezervë, edhe kur fliste me këmbëngulje e slogane ekstremiste si “Kosova është Serbi”.

Ivica Daçiç, ministër i Jashtëm i Serbisë në hapat e parë të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve hidhte hera-herës idenë e ndryshimit të kufijve. Por, në fillime ideja e tij kundërshtohej ashpër nga politikanët në Prishtinë. Sot gjërat janë ndryshe. Në Kosovë ka nisur të përflitet më shumë për ndryshimin e kufijve dhe kjo temë nuk shihet më si tabu. Hashim Thaçi tregohet i kujdesshëm me termat. Ai nuk përdor fjalën “ndryshim”, por një term që nënkupton se ndarja pas 1999 është bërë në mënyrë të gabuar; termin “korrigjim”.

“Pretendimi i Serbisë për ndarje të Kosovës gjithmonë do të jetë i papranueshëm, por në kuadër të korrigjimit të kufijve duhet të shtrohet,në procesin e dialogut, tanimë kërkesa dhe e drejta e Luginës së Preshevës për t’iu bashkuar Kosovës”, shkruan ai.

Me të drejtë Beogradi mund të kërkojë të drejtën e serbëve të veriut të Mitrovicës për t’iu bashkuar Serbisë dhe nëse në tryezë po diskutohet fshehurazi, apo do të diskutohet në të ardhmen, mundësitë janë që të flitet për një shkëmbim Mitrovicë Veriore-Lugina e Preshevës.

Ndryshe nga Mitrovica që ka Trepçen dhe një basen ujor të pasur, Lugina e Preshevës është një zonë më e varfër. Pasuria më e madhe në të janë shqiptarët dhe toka pjellore në sipërfaqe që ka favorizuar bujqësinë dhe blegtorinë. Nëntoka e saj është shumë e varfër krahasuar me Mitrovicën dhe nuk ka më shumë se 10 mijë tonë xehe. Megjithatë, gjeografët e cilësojnë Luginën e Preshevë bërthamën e Ballkanit, për shkak të pozicionimit të saj, që bën lehtësisht të aksesueshëm veriun, jugun, lindjen e perëndimin e Gadishullit tonë.

Pasuritë natyrore të Luginës së Preshevës

Pjesë e Luginës janë Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Në Preshevë 89 për qind e banorëve janë shqiptarë, ndërsa në Bujanoc 55 për qind. Në Medvegjë, shqiptarët e kanë humbur mazhorancën. Ata përbëjnë rreth 35 për qind të popullsisë dhe pjesa tjetër janë serbë.

Pra, me këtë përzierje demografike dilema që ngrihet nëse Kosova do të diskutojë me Serbinë për “korrigjim”, kufijsh, ashtu siç e thotë Presidenti Thaçi, si do të hiqet vija? Medvegja do të përfshihet? Po Bujanoci?

Mund të duket ende herët për të folur për këtë, por në rrethanat kur më shumë për këtë skenar në Prishtinë sesa në Beograd gjërat mund të lëvizin shpejt dhe të mbyllen me një tjetër ndryshim kufijsh në Ballkan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë