Novak Gjokoviç konfirmohet si lojtari më i fortë në botë. Për herë të shtatë ai do të luajë në finale të Uimbëlldonit, pasi ka mundur në gjysmëfinale pas 3 setesh kanadezin mëngjarash Denis Shapovalov, një kundërshtar i denjë për serbin. Nole fitoi 7-6, 7-5 dhe 7-5 me sete, duke e mbyllur ndeshjen pas 2 orë e 44 minutash. Në finalen e së dielës ai do të ndeshet me italianin Mateo Berretini, surprizën e këtij turneu.
Ndeshja nisi mirë për kanadazin Shapovalov, i cili arriti t’i përgjigjej në mënyrën e duhur Gjokoviçit, madje kaloi përpara me gejme. Ai iu afrua shumë fitimit të setit, por nuk arriti ta bënte këtë gjë, Nole u rifut në ndeshje dhe pastaj në “tie break” dominoi 7-3.

Edhe në setin e dytë ndeshja ofroi një tenis spektakolar. Shapovalov nuk shfrytëzoi 5 topa “break”, ndërsa serbi, si një vrastar, shfrytëzoi të vetmin rast të setit dhe shkoi në 2-0. Në setin e tretë ekuilibri vazhdoi dhe kanadezi sërish shpërdoroi 3 topa “break”. Por të njëjtën gjë bëri edhe Gjokoviç, që shpërdoroi pesë. Momenti më dramatik ishte kur rezultati ishte 5-5. Kanadezi rezistoi mirë, por në fund gaboi në një gjuajtje të drejtë. Në “match point”-in e pare, serbi regjistroi “ace”-in e fundit të ndeshjes.
“Nuk besoj se rezultati tregon realisht si shkuan gjërat. Denisi shërbeu për setin e parë dhe në setin e dytë luajti ndoshta më më mirë se unë. E ardhmja është e tij, meritonte të paktën një set, del nga fusha vërtet me kokën lart. Për mua ky është turneu më i rëndësishëm në botë. Tani duhet të përqendrohem te finalja me Mateo Berretinin. Nuk duhet të mendoj për finalen time të 30-të Slam dhe suksesin në Uimbëlldon. Duhet të mendoj vetëm për Mateon”, – tha Gjokoviç pas ndeshjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




