Gazeta Si – E ardhmja e Armando Brojës do të jetë larg Çelsit. Në verë sulmuesi i Kombëtares shqiptare me siguri do të ndryshojë skuadër, pasi emri i tij figuron në listën e shitjeve të klubit londinez.
Gjasat janë që Broja të mbetet po në Londër, duke qenë se një nga klubet më të interesuara për të është Uest Hemi. Ky klub në fakt ka kohë që e kërkon sulmuesin kuqezi dhe pas mbylljes së këtij kampionati do të përpiqet të mbyllë marrëveshjen me Çelsin.

Uest Hemi ka arritur një nivel të lartë sezonet e fundit, duke garuar denjësisht edhe në kompeticionet ndërkombëtare. Drejtuesit e këtij ekipi e shohin Brojën si një element të vlefshëm për të ardhmen dhe ndoshta në verë do të përfitojnë nga fakti se Çelsi mund të bëjë ulje çmimi.
Aktualisht Broja është i huazuar te Fulhemi, një aventurë që nuk po shkon aspak ashtu siç e priste 22-vjeçari. Në disa ndeshje ai ka luajtur shumë pak minuta, kurse në disa të tjera nuk është grumbulluar fare nga trajneri. Kjo do të thotë se Broja do të kthehet te Çelsi pas mbylljes së kampionatit, por përkohësisht.
Interesime për futbollistin shqiptar ka edhe nga jashtë Premier Ligës. Mes atyre që e ndjekin me vëmendje është edhe Napoli, sidomos tani që mund të shesë Osimhen. Gjithçka varet nga oferta më e mirë financiare, por edhe nga dëshira e vetë Brojës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




