Gazeta Si – Me mbylljen e sezonit 2022-2023 të Ligës së Kampionëve, UEFA ka përzgjedhur formacionin më të mirë të edicionit. Sigurisht, dominojnë lojtarët e Mançester Sitit, ekipi që u shpall kampion Europe për herë të parë në histori, pasi mundi 1-0 Interin në finalen e Stambollit.

Për portën UEFA ka përzgjedhur Tibo Kurtua të Real Madridit. Në mbrojtje bëjnë pjesë dy lojtarë të Sitit, konkretisht Uollker dhe Ruben Diash, dhe dy lojtarë të Interit, Bastoni dhe Dimarko.
Treshja e mesfushës është e gjitha e Mançester Sitit, me Stons, Rodrin dhe De Bryjnen. Në sulm, Haland dhe Bernardo Silva kanë shoqërinë e brazilianit Vinicius Zhunior të Real Madrid.
Rodri i Mançester Sitit është zgjedhur njëkohësisht edhe si futbollisti më i mirë i edicionit. Ai realizoi golin e fitores për ekipin anglez në finalen e 10 qershorit. Gjeorgjiani i Napolit, Kviça Kvaratskhelia është votuar si lojtari i ri më i mirë i Championsit të fundit.

Goli i Erling Haland në ndeshjen ndaj Borusia Dortmund ka fituar çmimin e golit më të bukur të edicionit. Norvegjezi realizoi me akrobaci kundër ish-skuadrës së tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




