Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka lëshuar alarmin duke theksuar se sezoni aktual mund të anulohet nëse nuk rinis deri në fund të qershorit. Është duke u punuar për të pasur plane të ndryshme në rast të rifillimit, ndërsa Ceferin ka theksuar se gjithçka varet nga pandemia e koronavirusit.
“Ne mund të rinisim sërish në mes të majit, ose në mes të qershorit, ose në fund të qershorit. Nëse nuk ndodh kështu, me shumë mundësi sezoni mund të konsiderohet i humbur. Ekziston gjithashtu propozimi për të përfunduar këtë sezon në fillim të sezonit tjetër, i cili më pas do të shtyhej, duke filluar pak më vonë. Ne do të shohim se cilat janë zgjidhjet më të mira për kampionatet dhe klubet e ndryshme’’.
Qeveria evropiane e futbollit ka krijuar një task-forcë për të ndërtuar një kalendar të mundshëm për federatat evropiane ku është ndërprerë kampionati, pasi pandemia e Covid-19 solli pezullimin e kampionateve kryesore. ‘’Është e vështirë për mua të imagjinoj të gjitha ndeshjet pa tifozë, por ne ende nuk e dimë nëse do të rifillojmë, me ose pa spektatorë. Nuk ka asgjë më shumë rëndësi se sa shëndeti i të gjithëve”, tha Ceferin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




