Futboll

UEFA rrit shpërblimet për Champions dhe Europa League

Uefa ka rritur ndjeshëm shpërblimin financiar për klubet që do të marrin pjesë në kompeticionet europiane këtë sezon. Sipas çmimeve që janë vendosur këtë vit do të kemi Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Europës më të pasurat e të të gjitha kohërave. Champios do të shkojë deri në 3.25 miliardë euro, nga të cilat, 2 miliardë do të shpërndahen për 32 klube që do të marrin pjesë që nga faza e grupeve. Ndërsa deri në 560 milionë euro do të shkojnë shpërblimet për ekipet në fazën e grupeve e deri në finale në Europa League.

Uefa ka vendosur këto çmime dhe shpërblime për klubet pjesëmarrëse për tre sezonet në vazhdim deri në 2020\21.

Për të bërë këtë rritje të konsiderueshme të të ardhurave për vetën, por edhe shpërblimet për klubet, Uefa është nisur nga ndryshimet që janë bërë lidhur me pjesëmarrjen e skuadrave nga kampionatet kryesore. Tashmë me sistemin e ri të Uefa do të ketë katër skuadra gjithmonë në Ligën e Kampionëve nga Italia, Gjermania, Spanja dhe Anglia.

Komponentët nga vijnë këto miliona për klubet që do të marrin pjesë në Champions League dhe Europa League janë katër:

  1. Pjesëmarrja (25% 488 milionë euro)
  2. Rezultatet e turneut (30%, 585 milionë euro)
  3. Klasifikimi historik (30%, 585 milionë euro)
  4. Vlerësimi i markës (15%, 292 milionë euro).

Me sistemin e ri të UEFA, një fitore shpërblehet me 2.7 milionë euro, ndërsa një barazim çon në arkat e klubeve 900 mijë euro.

Nëse një klub do i shkojë deri në fund turneut me fitore në të gjitha ndeshjet do të marrë me vete një shumë që shkon rreth 82 milionë euro, përveç çmimit që jepet për titullin kampion në fund.

Ky sistem i ri hedhur në zbatim nga qeveria europiane e futbollit besohet që të rrisë akoma dhe më shumë konkurrencën për të fituar dhe të forcojë akoma dhe më tej kompeticionin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë