Qeveria Europiane e Futbollit, UEFA ka publikuar renditjen e klubeve për vitin 2018. Në bazë të paraqitjeve në Kupat e Europës UEFA ka rankuar të gjithë klubet pjesëmarrëse në të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate.
Kreu i renditjes së UEFA-s për klube vijon të mbahet nga Real Madrid, fitues i trefishtë i Ligës së Kampionëve. Madrilenët ndiqen në këtë renditje nga rivalët e qytetit, Atlektiko Madrid që sezonin e shkuar fituan Europa League dhe Superkupën e Europës. Vendi i tretë në podium i takon Bajernit të Mynihut. Më pas vijnë Barcelona, Juventus dhe Sevilja. PSG ka parakaluar dy anglezet, Mançester Sitin dhe Arsenalin, ndërsa Borusia kompleton 10 vendet e para në këtë renditje.

Në 20 vendet e para të kësaj renditje të UEFA-s dominojnë ekipet spanjolle dhe ato angleze, duke konfirmuar edhe një herë tjetër pushtetin absolut që kanë në futboll këto dy vende.

Sakaq sa i përket klube shqiptare në këtë renditje, Skënderbeu vijon të mbajë komandën. Korçarët edhe pse këtë sezon nuk luajnë në Kupat e Europës, sukseset që kanë arritur në këto 8 vite kanë bërë që për momentin të jetë në vendin e 141.
Skuadra korçare ka një rënie të vogël këtë vit, por që gjithsesi është shumë më lart se ekipet e tjera shqiptare, madje më lart se shumë ekipe të tjera me histori nga Europa. Kështu pas Skënderbeut në këtë renditje janë ekipe si Panathinaikos, Vorskla Poltava, Bursaspor, Viteshe etj.

Skënderbeu ndiqet në këtë renditje nga Kukësi, që pozicionohet në vendin e 217. Partizani është në vendin e tretë në këtë renditje, duke mos shkuar më lart se vendi i 330. Klubet e tjera shqiptare që janë përfshirë në këtë listë janë Tirana, Teuta, Laçi dhe Flamurtari.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





