Gazeta Si – UEFA ka marrë një vendim përfundimtar pas pezullimit të të gjitha skuadrave ruse, kombëtares dhe klubeve, nga kompeticionet përkatëse. Për të pasur një zhvillim të sigurt të kompeticioneve të saj, qeveria e futbollit europian ka zyrtarizuar përjashtimin e të gjitha përfaqësueseve ruse.
Jo vetëm kaq, pasi kërkesat e Federatës Ruse të Futbollit për organizimin e Europianit në 2028-ën ose 2032-ën, janë deklaruar të paligjshme dhe të papranueshme.

Nga ky vendim i UEFA-s përfiton edhe Kombëtarja jonë, sepse tashmë ka mundësi reale për të fituar Grupin 2 në Ligën e Kombeve. Tashmë, me përjashtimin e Rusisë, që ishte shortuar në një grup me Shqipërinë, kuqezinjtë kanë si kundërshtarë vetëm Islandën dhe Izraelin.
Rusia konsiderohej si pretendente kryesore për kreun e grupit, ndërsa tani këtë status mund ta ketë edhe Shqipëria, që ka më shumë shanse për kreun. Po ashtu, Shqipëria nuk rrezikon të bjerë një ligë më poshtë, sepse në vend të fundit do të renditet Rusia.
Vendimet e UEFA-s për kombëtaret ruse të futbollit:
- Rusia nuk do të marrë pjesë në Grupin 2 të Ligës B të Ligës së Kombeve 2022/23, duke u klasifikuar atutomatikisht në vend të 4-t, që do të thotë rënie në Ligën C.
- Kombëtarja e femrave të Rusisë është përjashtuar nga faza finale e Euro 2022, që zhvillohet në Angli më 6-31 korrik. Në vend të saj merr pjesë Portugalia, që u eliminua nga Rusia në play-off.
- Rusia U-21 nuk do të marrë pjesë në ndeshjet kualifikuese të Europianit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




